Arbëri

PSD-ja me aksion para Qeverisë - “Jemi në pushim vjetor 365 ditë”

Partia Socialdemokrate (PSD) ka mbajtur një aksion simbolik para qeverisë së Kosovës, për 1 Majin-Ditën e punëtorëve.

Ata kanë thënë se Qeveria është në pushim vjetor 365 ditë.

PSD-ja ka vendosur para Qeverisë së Kosovës një ulëse për pushues, një çadër e pije dhe një pankartë me mbishkrimin, “Jemi në pushim vjetor 365 ditë”, reagim ky ndaj shkeljes së të drejtave të punëtorëve.

Donjeta Demolli nga PSD, tha se kryeministri Kurti nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë për t'iu ndihmuar punëtorëve.

Sipas PSD-së një punëtore që e mirëmban Zyrën e Kryeministrit të Kosovës paguhet 185 euro në muaj.

“Polici blen çizmet vetë, e minatorët punojnë 800 metra nën sipërfaqen e tokës me helmeta t’thyme. Infermierët e mjekët punojnë pa mjetet e domosdoshme në spitale ku pikë tavani. Punëtorët e marketeve nuk pushojnë as në festa, as në fundjava, e rojet e sigurisë punojnë në kabina 1 metër katror n’zhegun e ftohtin ma t’madh, gratë vazhdojnë të punojnë pa kontrata. Kryeministri në pushim. Pushim jo vetëm festave, jo vetëm në fundjavë, por 365 ditë. Për këtë arsye ne sot e kemi ilustruar qasjen e Kryeministrit përballë punëtorëve. Ajo është pushim, qejf e rahati”, ka thënë PSD-ja në komunikatën e dërguar mediave pas aksionit që e kanë zhvilluar para Qeverisë.

Sipas tyre, ndërkohë që kryeministri pushon, dispozitat e Ligjit të Punës shkelen çdo ditë nga pronarët e mëdhenj.

“Pronarët me të cilët kryeministri jonë është miqësuar. Kur ishte në opozitë takohej e afrohej me sindikatat, sot i shanë e sulmon ato. Paga minimale mbetet e njëjtë. Pagë që nuk i del punëtorit me e kalu as gjysmën e muajit. E inflacionit qeveria iu përgjigj me manipulime të shifrave. Tha që i rriti pagat, e bankomati tregoi që u ndalën shtesat”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas PSD-së, punëtori i Kosovës nuk ka sigurim shëndetësor e nuk është i siguruar nga rreziqet që sjellë tregu duke shtuar se aksidenti në punë apo edhe një sëmundje si kanceri ia rrezikon atij dhe familjes së tij ekzistencën.

“Punëtori i Kosovës nuk po ia del me këto kushte të punës. Dhjetëra mijëra u larguan në dy vitet e fundit. Të tjerët do të vazhdojnë të neglizhohen nëse nuk organizohen. Kjo qeveri e ka dëshmu që është në gjatësi valore veç me të pasurit, veç me oligarkët. Andaj, ne jemi të bindur që klasa punëtore do të vazhdojë të shtypet e nëpërkëmbet nëse nuk organizohet në rezistencë. Nëse pronarët nuk e ulin fitimin kur rritet inflacioni; Nëse qeveria nuk e rritë presionin tek pronari, neve na mbetet ta rrisim solidaritetin e rezistencën. Pa rezistencë këta do ta kenë pushim 365 ditë në vit”, thuhet në njoftim.

Sot në Kosovë shënohet Dita Ndërkombëtare e punëtorëve derisa janë mbajtur dy protesta.