LAJMET E MBRËMJES

Rritja e pagave dhe e pensioneve, kërkesë kryesore në tri protesta për 1 Maj

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, sindikalistë e aktivistë të shoqërisë civile kanë marshuar nëpër sheshet e kryeqytetit. Nëpërmjet protestave është kërkuar siguri në punë, rritje e pagave, si dhe trajtim i barabartë. Veç kërkesave është shprehur edhe vërejtja për mungesë të mbështetjes së institucioneve

Sindikata të ndryshme, aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë të shumtë kanë marshuar të enjten nëpër sheshet e kryeqytetit për më shumë të drejta për punëtorët.

Nëpërmjet tri protestave të organizuara me rastin e 1 Majit – Ditës ndërkombëtare të Punëtorëve – është kërkuar trajtim i barabartë mes sektorit publik dhe atij privat, rritje e pagave dhe siguri në vende të punës.

Të mbledhur para ndërtesës së Qeverisë, përfaqësues të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat kanë paralajmëruar edhe bojkotim të punës në rast se nuk do të ketë rritje të pagave.

“Që nga dita e sotme, ne japim një afat deri më 1 shtator, nëse paga minimale nuk do të jetë 600 euro, e cila unë mendoj se për të gjithë opinionin është e kapshme. Andaj ne në mënyrë unanime, të jeni të bindur dhe këta e dinë se ne dimë të bojkotojmë dhe të mos e kryejmë punën tonë. Nuk po lypim luks. Ne nuk e dimë çka është shëtitja, ne nuk e dimë çka është rekreacioni”, ka thënë Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat.

Kryesindikalisti ka theksuar mungesën e dialogut social me Qeverinë gjatë viteve të fundit.

“Punëtorët e sektorit privat të Kosovës i keni trajtuar si skllevër dhe një trajtim të tillë thuajse nuk ka askund në Evropë. Andaj shpresojmë që sot parlamenti ta marrë rrugën e vet të mbarë dhe ne të kemi me kë të komunikojmë, sepse përkundër asaj që kemi pasur me kënd të komunikojmë për katër vite rresht, ne nuk e kemi bërë as komunikimin më të vogël. I kemi 30 metra në mes të Qeverisë së Kosovës dhe zyrës ku jemi ne, dhe kemi kaluar katër vite ne nuk kemi ditur të ulemi të takohemi të bisedojmë për problemet me të cilat i kemi ne”, është shprehur ai.

E sindikalistja Hafije Statovci po ashtu ka folur për mungesën e mbështetjes nga institucionet.

“Shkoj një mandat i Qeverisë dhe i Parlamentit, jo që na ndihmuan, por mbërritën deri në zenit për të keq dhe mu nga Parlamenti i Kosovës për shkak se lypëm një copë buke më të madhe jashtëligjshëm u larguam nga puna. U larguan edhe gratë e dëshmorëve dhe u lanë në rrugë”, ka thënë Statovci. “Ne nuk po mund të mbijetojmë me pagat që i kemi. Në Kosovë, punëtorët e sektorit privat edhe sot marrin pagë prej 230 eurosh. Kjo pagë nuk po na lë të vdesim, por edhe nuk po mund të jetojmë”.

Një varg kërkesash janë bërë edhe në protestën e organizuar nga Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Kryetari i kësaj Sindikate, Nexhat Llumnica, ka theksuar se protesta është e domosdoshme, për shkak të sfidave të shumta me të cilat përballen punëtorët e sektorit energjetik.

“Ne kërkojmë ngritje të pagave, kërkojmë respektim të të drejtave ligjore, kërkojmë respektim të vendimeve të Gjykatës që janë pagesat për fundjave, pagesa për rrezikshmëri, kërkojmë marrëveshje kolektive, kërkojmë Gjykatën e Punës.... nëse nuk bëhet kjo gjykatë, atëherë tregohet qartë se janë kundër interesave të punëtorëve”, ka theksuar Llumnica.

Për 1 Maj ka protestuar edhe Kolektivi Feminist. Në këtë protestë të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues të shoqatave të pensionistëve.

Pensionistët kanë shprehur kërkesë për rritjen e pensioneve teksa në Kolektivin Feminist kanë kërkuar barazi gjinore dhe siguri ekonomike për gratë.

Paga mesatare bruto në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), është 702 euro. Sektori privat llogaritet punëdhënësi më i madh, me mbi 300 mijë të punësuar.

Më herët, të enjten, në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) kanë thënë se Dita e Punëtorëve e gjen Kosovën “me probleme të vjetra - vdekje në vendin e punës, ligje të vjetruara, institucione jofunksionale”.

Qeveria dhe Kuvendi, sipas IKD-së, kanë dështuar të ndërmarrin veprimet e duhura në fushën sociale, përfshirë në miratim e zbatim të ligjeve në këtë fushë.

Nëpërmjet një komunikate, në IKD kanë thënë se Qeveria ka dështuar jo vetëm të miratojë pjesën më të madhe të ligjeve në fushën sociale, por edhe të zbatojë ligjet ekzistuese.

“Ligjet bazike, si Ligji i Punës, Ligji për Siguri dhe Shëndet në Punë dhe Ligji për Inspektoratin e Punës, janë hequr nga agjenda ose kanë mbetur të paadresuara, duke reflektuar mungesë të përparimit dhe angazhimit për çështje urgjente sociale”, thuhet në komunikatë. “Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedhë një përfaqësues të sindikatave në Bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale dhe nuk ka ushtruar në mënyrë efektive funksionin mbikëqyrës ndaj Qeverisë. Vetëm gjatë dymbëdhjetë vjetëve të fundit, sipas statistikave zyrtare dhe të dhënave nga sindikatat, në vendet e tyre të punës kanë humbur jetën 263 punëtorë, 12 vetëm në vitin 2024, ndërsa në pesëmujorin e parë të këtij viti kemi 10 raste të vdekjes në vendin e punës”.

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve – 1 Maji – shfrytëzohet në shumë vende të botës si një ditë për të kërkuar të drejtat e punëtorëve, për të transmetuar ankesat e përgjithshme ekonomike ose kërkesat politike. Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se nga 1.074.704 persona të cilët janë të moshës së punës - nga 15 deri 65 vjeç - 461 mijë ose 43 për qind janë ekonomikisht aktivë në tregun e punës. Mbi 613 mijë, ose 57 për qind e qytetarëve të moshës së punës, nuk janë ekonomikisht aktivë. Shkalla e përgjithshme e papunësisë në Kosovë llogaritet të jetë 10.7 për qind.