LAJMET E MBRËMJES

Policët paralajmërojnë veprime të tjera nëse Qeveria nuk u përmbush kërkesat e tyre

Pjesëtarë të dy njësive më elitare të Policisë, të mërkurën kanë protestuar para Qeverisë lidhur me vendimin për shtesat e rrezikshmërisë. Në protestë u kërkua që të bëhet kategorizimi si njësi të veçanta, përfshirja në listën e ekspertëve, pastaj rrezikshmëria të caktohet në masën 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

Të uniformuar, me maska, syze e pa armë, njësitë më elitare të Policisë së Kosovës, të mërkurën iu drejtuan oborrit të Qeverisë.

Duke qëndruar për disa minuta pa folur e lëvizur, pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues dhe atij për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, shprehën pakënaqësitë lidhur me trajtimin nga Qeveria e Kosovës.

Njëri nga ta lexoi kërkesat drejtuar kryeministrit Albin Kurti.

“Kërkesat janë si në vijim: Kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve. Rrezikshmëria të caktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës”, ka thënë një nga pjesëtarët e këtij njësiti.

Shtoi se kërkesat e tyre nuk janë adresuar tash e 10 vjet dhe kërkoi të mos luhet me dinjitetin e tyre.

“I nderuar kryeministër ju i dini shumë mirë kërcënimet dhe rreziqet që operatorët e këtyre i bartin gjatë gjithë kohës jo vetëm gjatë kryerjes së detyrave zyrtare por edhe në jetën private. E kjo është pikërisht për shkak të natyrës së punës që ne bëjmë. Prandaj mos luani me dinjitetin tonë, mos luani me ndjenjat e familjeve tona", ka thënë ai.

Në rast se kërkesat e tyre nuk adresohen, pa ndarë më shumë hollësi, paralajmëruan veprime të tjera.

Protesta e njësive speciale u mbajt pak ditë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e shtesave të rrezikshmërisë. Sipas këtij vendimi, ato do të ndahen në shtatë kategori, ku shtesa më e ulët është 45 euro, derisa më e larta 150 euro.

Protesta kanë paralajmëruar edhe njësitë tjera, ndërkohë pakënaqësinë me vendimin e Qeverisë për shtesa e ka shprehur edhe Sindikata e Policisë.

Njësia Speciale Intervenuese dhe ajo për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive konsiderohen njësitë më elitare të Policisë për shkak të rasteve me të cilat përballen, si lufta kundër terrorizmit, lirimi i pengjeve, rastet e kërcënimeve me eksploziv e bomba dhe të tjera.