“Mbështetje e aspirimeve euroatlantike të Kosovës, si qasje aktive e Kosovës në iniciativat dhe forumet rajonale ekzistuese. Jemi të gatshëm me Kosovën t’i shkëmbejmë përvojat tona në raport me proceset reformuese dhe integrimin tonë euroatlantik”, ka shkruar Pendarovski në rrjetet sociale, pas takimeve që ka zhvilluar të enjten në Prishtinë me udhëheqësit shtetërorë
Mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike e ka premtuar të enjten presidenti i këtij shteti, Stevo Panderovski, gjatë qëndrimit në Prishtinë.
Pas takimeve që ka zhvilluar me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Albin Kurti, presidenti maqedonas ka theksuar kontributin e shtetit të tij për garantimin e paqes në Kosovë.
Në Presidencë kanë bërë të ditur se dy liderët gjatë takimit e kanë theksuar si synim të përbashkët stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe integrimin e vendeve përbërëse në Bashkimin Evropian.
“Kosova ka dëshmuar angazhim serioz në procesin e reformave rrënjësore, andaj meriton që ta marrë statusin e vendit kandidat në BE”, është thënë në njoftimin e lëshuar pas takimit nga Zyra e presidentes Osmani. Në njoftim është potencuar edhe mbështetja e ofruar nga Maqedonia e Veriut për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare, përfshirë në Partneritetin për Paqe të NATO-s.
Këtë mbështetje, nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, e ka konfirmuar edhe Pendarovski.
“Mbështetje e aspirimeve euroatlantike të Kosovës, si qasje aktive e Kosovës në iniciativat dhe forumet rajonale ekzistues. Jemi të gatshëm me Kosovën t’i shkëmbejmë përvojat tona në raport me proceset reformuese dhe integrimin tonë euroatlantik”, ka shkruar ai.
Përkrahjen e presidentit të Maqedonisë Veriore për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare e ka kërkuar edhe kryeministri Kurti.
"U fol edhe për zhvillimet në rajon, për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për situatën e sigurisë pas sulmit terrorist dhe paramilitar të para katër muajve në Banjskë, të Komunës së Zveçanit. Me këtë rast, kryeministri falënderoi presidentin Pendarovski për vendimin për Maqedoninë e Veriut për shtimin e kontingjentit të trupave të saj në kuadër të KFOR-it", është thënë në njoftimin e Qeverisë, në të cilin është bërë e ditur se krahas kësaj dy liderët kanë diskutuar edhe për projektet e përbashkëta infrastrukturore, përfshirë atë për rrugën Prizren-Tetovë.
Sipas Qeverisë, Pendarovski ka ofruar mbështetjen e Maqedonisë së Veriut në ndarjen e përvojave lidhur me anëtarësimin në NATO. Pas takimit me Kurtin, Pendarovski ka bërë të ditur se nëpërmjet pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it, Maqedonia e Veriut kontribuon në mbështetjen e paqes në Kosovë.
“Të dyja shtetet kultivojnë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv dhe konstruktiv, me dialog të hapur në të gjitha nivelet. Shprehëm interes për përparim të tij në të gjitha sferat e interesit të përbashkët. I mbështesim aspirimet euroatlantike të Kosovës. Si anëtare e NATO-s japim kontribut aktiv në mbështetjen e paqes në Kosovë nëpërmjet pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it”, ka shkruar presidenti maqedonas në rrjete sociale, pas përfundimit të takimeve me udhëheqësit shtetërorë në Kosovë.