Arbëri

Maqedonia e Veriut e gatshme të ndajë me Kosovën përvojat për anëtarësim në NATO

Maqedonia e Veriut është e gatshme të ndajë me Kosovën përvojat e saj për anëtarësimin në NATO, ka thënë presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë të enjten.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit në këtë takim dy liderët kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale e fushat në të cilat, mund të thellohet bashkëpunimi, përfshirë edhe projektin e rrugës Prizren-Tetovë.

“Në takim u diskutua për marrëdhëniet bilaterale, fushat në të cilat mund të shtohet e thellohet bashkëpunimi, dhe projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin dy shtetet, siç është projekti i rrugës Prizren-Tetovë për të cilën në javën e dytë të këtij muaji ministrat respektivë nënshkruan marrëveshje për bashkëfinancim të hartimit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Prizren-Tetovë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Më tej bëhet e ditur se në këtë takim është folur edhe për zhvillimet në rajon, procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe situatën e sigurisë pas sulmit terrorist dhe paramilitar të para katër muajve në Banjskë të komunës së Zveçanit.

“Me këtë rast, Kryeministri falënderoi presidentin Pendarovski për vendimin për Maqedoninë e​ Veriut për shtimin e kontingjentit të trupave të saj në kuadër të KFOR-it”, thuhet në njoftim.

Pendarovski thuhet se ka deklaruar që Kosova dhe Maqedonia e Veriut përveç marrëdhënieve të mira, kanë edhe të njëjta qëllime strategjike, dhe se “ajo është e gatshme që të ndajë me Kosovën përvojat e saj sa i përket integrimit evropian dhe anëtarësimin në NATO”.