Dështimi për të zgjedhur kryeparlamentarin edhe pas vazhdimit të radhës, nxiti një cikël të ri akuzash mes partisë fituese dhe ish-opozitës. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se Lëvizja Vetëvendosje po e mban peng procesin, duke insistuar në kandidatë që s’marrin mbështetje, e nga ana tjetër deputetja Donika Gërvalla ia hodhi fajin opozitës, të cilën e lidhi me qëndrimet e Listës Serbe
Pas dështimit për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit partitë politike iu rikthyen akuzave të ndërsjella. Subjektet që legjislaturën e kaluar ishin në opozitë e fajësuan Lëvizjen Vetëvendosje për bllokadën pasi propozoi një emër për të cilin dihej se cili do të jetë epilogu, e LVV-ja i riktheu akuzat duke e lidhur votën pro të ish-opozitës me Listën Serbe.
Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, tha se Vetëvendosje po e bllokon qëllimisht konstituimin, meqë dihet se nuk votohen kandidatë që kanë pasur pozita edhe në Qeveri, siç është ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
“Janë edhe 35 kandidatë të tjerë që i ka LVV që po të viheshin në votim, ndoshta sot do ta kishim të zgjedhur edhe kryetarin edhe konstituimin. Nëse deri sot dikush e ka pasur dyshimin më të vogël se ka një përpjekje të vërtetë nga LVV, u bë e qartë se një gjë e tillë nuk qëndron. Po vijmë në seanca vetëm për të humbur kohë, në lojën e Kurtit për të humbur kohë që pastaj të hyjmë në një thellim tjetër të krizës. Këta me vetëdije nuk po dëshirojnë ta konstituojnë, sepse ministrat nuk kanë shans të marrin vota... Sot është dashur të ketë propozim të ri, sikur të kishte më shumë propozime do ta shihnim ndoshta një vullnet të VV-së për konstituim, por kjo është një lojë”, ka shtuar ai.
Sipas Krasniqit, me situatën e krijuar vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme.
“Normalisht që po shkojmë drejtë zgjedhjeve dhe zgjedhjet kanë me qenë të pashmangshme. Nëse nuk ka vullnet nga ana e partisë së parë për të bërë zgjidhjen atëherë zgjedhjet mbesin si opsion. Mekanizmi për të shkuar në zgjedhje duhet të përmbushet. Më së lehti dhe së shpejti për të shkuar në zgjedhje është të konstituohet Kuvendi dhe të shpërndahet legjislatura”, tha Krasniqi.
E deputetja e partisë Guxo që është në koalicion me LVV-në, Donika Gërvalla tha se mosvotimi i Hekuran Muratit dëshmon se bllokada nuk lidhet me emra, por me mosgatishmërinë e opozitës për të kaluar në fazën e votimit të qeverisë.
“Kushtetuta e thotë shumë qartë, propozimi është i subjektit fitues. Subjekti fitues sot ka dhënë emrin e tretë me radhë dhe përsëri reagimi i njëjtë. PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe. AAK-ja sot mësoi nga gabimet e kaluara dhe të paktën abstenoi nga frika se mos përsëri po identifikohet nga qytetarët me Listën Serbe, por këto tri subjekte politike shqiptare dhe Lista Serbe që s’është parti serbe, por që synimin e saj thelbësor e ka zhbërjen e Kosovës... s’e ka vendin në Kuvend, s’e ka vendin në udhëheqje komunale dhe prandaj jemi këmbëngulës që të mos ndodhë certifikimi i saj për zgjedhje dhe nuk do të guxojë të ndodhë”, ka theksuar Gërvalla.
Teksa është pyetur mosvotimin e deputetes së LVV-së, Shqipe Selimi, kur ajo u propozua për kryeparlamentare, Gërvalla është marrë me partinë që dikur ishte pjesë e saj.
“Selimi merr vendimet e saj. S’ka marrë pjesë në votim për dallim nga disa të tjerë që nuk është pritur që mund të bashkohen me Listën Serbe dhe PDK-në për të votuar kundër personit tim. S’kam arsye e asnjë të drejtë ta komentoj vendimin e Shqipe Selimit. Djali i Xhemajl Mustafës (Besian Mustafa), nipi i Tahir Zemajt (Armend Zemaj), dy komandantë të Koshares dhe këta u bënë bashkë me PDK-në e Listën Serbe për të votuar kundër. Nuk ka person në skenën publike të Kosovës që më hapur dhe me kosto të lartë politike është angazhuar më shumë për zbardhjen e krimeve të pasluftës”, ka thënë Gërvalla.
Ndaj deklaratës së saj ka reaguar deputeti Anton Quni. Ai ka thënë se u beson vetëm njerëzve besnikë.
“Pse është e rëndësishme besnikëria në politikë? Për mua, besimi është themeli i çdo marrëdhënieje. Kjo vlen edhe për politikën. E dëgjova ankesën e deputetes Donika Gërvalla-Schwarz që nuk e votova për kryetare të Kuvendit. Kjo më bëri të reflektoj mbi një standard që unë e kam thelbësor: besnikërinë. Kam një parim të palëkundur, si në jetë, ashtu edhe në punë: nuk mund t'ia besoj një post të rëndësishëm një personi që ka ndryshuar anë dhe ka braktisur njësinë. Kjo është njësoj sikur të avancosh në detyrë një ushtar që ka dezertuar një ditë më parë. Unë besoj vetëm tek ata që qëndrojnë besnikë edhe kur gjërat vështirësohen. Është kjo besnikëri që ndërton besim dhe bën të mundur punën e vërtetë, atë që është në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar ai në Facebook.
Por, në polemikat mes Gërvallës e Qunit, dikur anëtarëve të së njëjtës parti është përfshirë Haxhi Avdylli, deputeti i partisë “Guxo” që është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai ka akuzuar Qunin se është ngritur politikisht duke mbajtur fjalime demagogjike kundër PDK-së, kundër Veselit, Thaçit e SHIK-ut, e me të cilët sipas tij, më pas u bënë bashkë.
“Ndaj kujt? Ndaj vajzës së Jusuf Gërvallës, aktivistes e koleges së idealit rugovian. Dezertim është me mbajt fjalime plot epitete false si ai se kur ju mbaroni prapa grilave, unë do ta lë politikën. Mirë që është në politikë por së paku të mundohej të mbante disa nga parimet apo ndoshta Lumiri e Isa nuk ia lejon. E lëre që shkeli betimin ndaj qytetarëve, por ushtari bëhet bashkë me ata që u ngrit duke i akuzuar, duke ngritur dorën për të mos votuar ish-kryetaren e zëdhënësen e LDK-së në Gjermani, Donika Gërvallën. Nga asnjë parim rugovian, nuk ka dezertuar Donika, kurse ju përveç 3 shkronjave që ende mbani, cilit parim të dikurshëm jeni duke iu përmbajt akoma?... Veç një pyetje ne fund. Tash kë do akuzoni për vrasjet e pasluftës, sepse edhe ato akuza po dalin që i keni pas vetëm për efekte elektorale e asgjë më shumë”, ka shkruar Avdyli në “facebook”.
Donika Gërvalla të mërkurën i mori 56 vota pro. Madje ajo nuk e mori mbështetjen as të deputetes së LVV-së, Shqipe Mehmeti-Selimi, bashkëshorte e ish-kryetarit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi. Deputetja Mehmeti-Selimi ka thënë se nuk ka votuar për shkak të postimeve akuzuese të Gërvallës ndaj bashkëshortit të saj vite më parë.
E para seancës, deputeti Besian Mustafa, u shpreh se ata që e kanë braktisur LDK-në nuk mund të thirren në emër të saj.
“Të vetmit që kanë të drejtën politike, morale dhe çfarëdo tjetër që ta thërrasin LDK-istë dhe rugovistë janë ata që i kanë qëndruar besnik LDK-së dhe askujt tjetër”, ka thënë Mustafa.
Qëkur nis mbledhja konstituive më 15 prill, deputetët e legjislaturës së nëntë kanë dështuar ta përmbyllin atë megjithëse u mbajtën 56 seanca dhe Kushtetuesja i nxori dy Aktgjykime përkitazi me rrugën që duhet ndjekur në funksion të zhbllokimit të ngërçit.