Donika Gërvalla, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, që të mërkurën nuk mori votat e partive që deri tash ishin në opozitë, ka thënë se të paktën deputetët e ish-partisë së saj, Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë pasur më shumë se një arsye për ta votuar.
Pas dështimit për të zgjedhur kryeparlamentarin edhe të premten, në propozimin për Hekuran Muratin, Gërvalla ka thënë se kjo tregon se bllokimi s’lidhet me emra, por me mosgatishmërinë e opozitës për të shkuar në fazë të re.
“Frika e opozitës nga Qeveria Kurti 3 është shpërfaqur hapur muajve të fundit dhe s’ka asnjë arsyetim që mund ta bindë cilindo qytetar të republikës që qenka çështja për emra të përveçëm”, ka thënë ajo, teksa ka lidhur sërish emrat e partive opozitare shqiptare me atë të Listës Serbe. “Kushtetuta e thotë shumë qartë, propozimi është i subjektit fitues. Subjekti fitues sot ka dhënë emrin e tretë me radhë dhe përsëri reagimi i njëjtë. PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe... AAK-ja sot mësoi nga gabimet e kaluara dhe të paktën abstenoi nga frika se mos përsëri po identifikohet nga qytetarët me Listën Serbe, por këto tri subjekte politike shqiptare dhe Lista Serbe që s’është parti serbe, por që synimin e saj thelbësor e ka zhbërjen e Kosovës... S’e ka vendin në Kuvend, s’e ka vendin në udhëheqje komunale dhe prandaj jemi këmbëngulës që të mos ndodhë certifikimi i saj për zgjedhje dhe nuk do të guxojë të ndodhë”, ka thënë ajo.
VIDEO:
Teksa është pyetur për të komentuar mosvotimin e deputetes së VV-së, Shqipe Selimi, për emrin e saj, por edhe të LDK-së, Gërvalla ka thënë se të paktën LDK-ja është dashur ta votonte.
“Selimi merr vendimet e saj. S’ka marrë pjesë në votim për dallim nga disa të tjerë që nuk është pritur që mund të bashkohen me Listën Serbe dhe PDK-në për të votuar kundër personit tim. S’kam arsye e asnjë të drejtë ta komentoj vendimin e Shqipe Selimit... Djali i Xhemajl Mustafës (Besian Mustafa), nipi i Tahir Zemajt (Armend Zemaj), dy komandantë të Koshares dhe këta u bënë bashkë me PDK-në e Listën Serbe për të votuar kundër. Nuk ka person në skenën publike të Kosovës që më hapur dhe me kosto të lartë politike, është angazhuar më shumë për zbardhjen e krimeve të pasluftës”, ka thënë Gërvalla.
E para seancës së sotme, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, u shpreh se “Të vetmit që kanë të drejtë politike dhe morale ta thërrasin veten LDK-ist e Rugovistë, janë ata që i kanë qëndruar besnik LDK-së dhe askujt tjetër”.
Ajo ka mohuar edhe se ka qenë dëshmitare në Gjykatën Speciale ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Donika Gërvalla të mërkurën i mori 56 vota pro. Madje ajo nuk e mori mbështetjen as të deputetes së VV-së, Shqipe Mehmeti-Selimi, bashkëshorte e ish-kryetarit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, që tha se nuk votoi për shkak të postimeve akuzuese të Gërvallës ndaj bashkëshortit të saj vite më parë.
E të mërkurën, VV-ja propozi Hekuran Muratin për kryeparlamentar. Edhe ky dështoi.
VIDEO:
