Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

OVL e UÇK-së kërkon që Basha të shkarkohet shkaku i artikullit, paralajmëron edhe masa të tjera

E shkaku i artikullit me përmbajtje kundër Ushtrisë Çlirimtare, përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së e kanë kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha. Në këtë organizatë kanë paralajmëruar masa, në rast se kjo kërkesë nuk merret parasysh

Kategori të dala nga lufta e kanë kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Dimal Bashës nga pozita e kryetarit të Kuvendit dhe që ndaj tij të nisin hetimet shkaku i artikullit me përmbajtje kundër UÇK-së, të botuar në bashkautorësi të tij.

Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, nëpërmjet një konferencë shtypi, të mërkurën paralajmëroi që në rast se kjo kërkesë nuk merret parasysh, atëherë organizata do të ndërmarrë masa.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Arsyeja për fillimin e hetimit dihet. Në një, pjesëmarrja në luftë speciale propagandistike kundër UÇK-së dhe Republikës së Kosovës dhe nën 2, lidhja personale dhe bashkëpunimi me persona të dyshimtë, përfshirë bashkëpunëtorë nga Maqedonia e Veriut, të cilët ndikojnë negativisht në zhvillimin dhe integritetin e vendit tonë. OVL e UÇK-së kërkon përgjegjësi të plotë dhe veprime të menjëhershme nga autoritetet për mbrojtjen të vërtetë dhe nderin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Gucati.

Kjo kërkesë u adresua pas debatit të ndezur në rrjete sociale rreth artikullit, i cili është botuar 13 vjet më parë dhe përmbajtja e të cilit është kundër UÇK-së.

Në artikull shkruhet se UÇK-ja, gjatë ngritjes së saj, ka marrë mbështetje financiare e logjistike edhe nga rrjete kriminale shqiptare, përfshirë trafikantë droge.

Kryeparlamentari Basha i ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij për artikullin dhe i ka cilësuar ato të rreme. Ai ka thënë se nuk mban përgjegjësi për pjesët që janë kundër UÇK-së, pasi nuk janë shkruar prej tij.

E këtë distancim të Bashës nga artikulli nuk e pranuan në OVL të UÇK-së.

“Z. Basha është bashkëveprues i atij punimi shkencor që e ka ba dhe z. Basha nuk mund t’i ikë përgjegjësisë me një deklaratë që ka dalë para juve, para mediave, që është munduar ta arsyetojë veten. Pra, njeriu e ka firmën aty, pavarësisht cili nen apo kapitull është. Z. Basha është pjesëmarrës i atij punimi bashkë me këtë zonjën nga Maqedonia e Veriut, ku ne e dimë se çka mendojnë maqedonët për shqiptarë, sidomos për pjesëtarët e UÇK-së”, tha Gucati.

Gjatë konferencës të së enjtes, Gucati ka paralajmëruar që të shpalosë emra nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje që, sipas tij, janë dëshmitarë në Gjykatën Speciale.