Arbëri

OVL-UÇK: Kërkimfalja e Bashës s’mjafton, ai duhet të shkarkohet menjëherë

Dimal Basha merr pozitën e kryeparlamentarit

FOTO: KOHA

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thënë se kërkimfalja që kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka bërë të hënën lidhur me punimin e vitit 2012, nuk është e mjaftueshme. 

Në punimin e vitit 2012, “Globalizing the Western Balkans: Transnational Crime, Fundamental Islam and Unholy Alliances”, në të cilin Basha është bashkëautor, ishte shkruar se UÇK-ja financohej nga krimi i organizuar. 

Basha të hënën ka folur sërish për artikullin kundër UÇK-së.

Ai ka kërkuar falje për siç ka thënë “pakujdesinë” e tij.

“Kërkoj falje për pakujdesinë time. Duhet ta pranoj që kam qenë i pakujdesshëm dhe i pavëmendshëm. Unë kam kërkuar që të tërhiqet kapitulli dhe emri im nga punimi. Unë nuk kam të bëjë asgjë me këtë. Unë kërkoj falje për pavëmendjen time, por askush nuk mund ta vë në dilemë atdhetarizmin tim”, ka thënë ai.

OVL-UÇK ka thënë se kjo kërkimfalje s’mjafton. Ka thënë se Basha duhet shkarkuar menjëherë. 

“Kërkimfalja e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, nuk mjafton. Qëndrimet e shprehura në punimin e tij shkencor të vitit 2012, ku është cenuar lufta jonë çlirimtare dhe UÇK-ja, bien ndesh me betimin kushtetues që ai ka dhënë si deputet dhe Kryetar i Kuvendit, si dhe me respektin ndaj themeleve të shtetit tonë, të ngritura mbi sakrificën e Dëshmorëve dhe Luftëtarëve të lirisë. Për këtë arsye, qëndrimi ynë mbetet i qartë: Dimal Basha duhet të shkarkohet menjëherë nga posti i Kryetarit të Kuvendit. Jemi në pritje të iniciativës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilëve tashmë u kemi drejtuar një kërkesë zyrtare për këtë çështje”, thuhet në reagim.