Në Organizatën e Veteranëve të Luftës të UÇK-së e kanë përsëritur të premten kërkesën për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, për shkak të publikimit shkencor kundër Ushtrisë Çlirimtare. Në këtë organizatë kanë thënë se pretendimet në këtë punim përmbajnë të pavërteta dhe gjuhë denigruese ndaj UÇK-së teksa kanë paralajmëruar protesta në rast të mospërmbushjes së kërkesës
Përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare (OVL UÇK) e kanë përsëritur kërkesën për shkarkimin e kryeparlamentarit, Dimal Basha, shkaku i shkrimit në të cilin ai është bashkautor dhe i cili ka përmbajtje kundër UÇK-së.
Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, nëpërmjet një konference shtypi të premten ka njoftuar se kërkesa për shkarkimin e Bashës u është dërguar më 28 gusht të gjitha grupeve parlamentare në Kuvend, me përjashtim të Listës Serbe, parti kjo e serbëve të Kosovës që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Në rast se kërkesa nuk merret parasysh, ai ka paralajmëruar se do të ndërmerren veprime tjera.
“Nëse Parlamenti ynë nuk merr vendim ta shkarkojë Bashën, rruga do të jetë e pashmangshme. Ne nuk e preferojmë rrugën, por po na imponojnë. Tash, partitë politike po na imponojnë që të dalim në protestë dhe të kërkojmë shkarkimin e tij. Për protestë do t’ju njoftojmë shumë shpejt, pasi të kthehem prej Hagës, pasi e kemi edhe një protestë atje, dhe sot nuk mund të përcaktojmë datë, por me siguri do të jetë shumë shpejtë”, ka theksuar ai.
Për protestën që pritet të mbahet në Hagë më 14 shtator, nënkryetari i OVL të UÇK-së, Gazmend Syla, ka theksuar se nëpërmjet këtij organizimi dhe avokimit ndërkombëtar synohet që të tërhiqet vëmendja “te padrejtësitë që po ndodhin ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale”.
“Ideja është që ne bashkëluftëtarët, dhe qytetarët e vendit tonë, t’i themi Gjykatës Speciale jo në emrin tim, nuk mund t’i gjykoni qytetarët, bashkëluftëtarët tanë, në emrin e këtij populli, mbi bazën e këtej populli, kjo nuk vlen. Avokimin që e bëjmë me diplomatë dhe të tjerët është t’i ngremë shqetësimet tona, sepse ka disa prej tyre që edhe fare nuk janë marrë me këtë temë, dhe ne ua rikujtojmë, ktheheni kokën nga Gjykata Speciale, nga padrejtësia që po ndodh, apo mbikëqyreni punën që po bën Gjykata Speciale”, ka thënë Syla.
Dimal Basha është zgjedhur kryeparlamentar pas më shumë se katër muaj bllokadë në Kuvend. Por ende pa e nisur mirë punën, atij i janë publikuar të dhëna mbi përmbajtjen e artikullit, të botuar më 2012, me titull “Globalizing the Western Balkans: Transnational Crime, Fundamental Islam and Unholy Alliances”, ku ai është bashkautor.
Një orë para vazhdimit të seancës konstituive të së enjtes së shkuar, Basha ka dhënë versionin e tij.
“Është jashtëzakonisht e lodhshme që në këtë vend shpifjet nuk kanë të ndalur dhe prandaj ndiej përgjegjësinë që të sqaroj para qytetarëve për akuzat e ulëta që janë ngritur kundër meje... Unë asokohe kam bërë hulumtim për depërtimin e islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, por që gjithmonë ka pasur një fokus në Kosovë. Unë e kam dërguar hulumtimin që lidhet vetëm me këtë temë dhe këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë”, pati thënë Basha.
Tek është distancuar nga përmbajtja e artikullit ku figuron si bashkautor, Basha ka thënë se e ka të shenjtë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Kurrë në jetën time nuk është shkruar dhe nuk do të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë”.
Por në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e kanë vlerësuar të pamjaftueshme kërkimfaljen e Bashës.