Arbëri

Basha thotë se punimi i tij u hoq nga artikulli që fliste për lidhje të UÇK-së me trafikimin e drogës

Dimal Basha në konferencë për media

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka thënë se punimi i tij, i cili siç ka thënë, ishte përfshirë si kapitull në një publikim më të gjerë, është fshirë, ashtu si edhe autorësia e tij në publikimin ku ndër të tjera thuhej se UÇK-ja ishte financuar nga trafikantët e drogës. 

Ai ka thënë se ka bërë kërkesë që punimi i tij të hiqej tërësisht nga publikimi. 

“Dua t’ju informoj se me t’u vënë në dijeni që një punim i imi nga studimet para 13 viteve ishte përfshirë si kapitull i veçantë në kuadër të një publikimi më të gjerë, në të cilin gabimisht isha listuar si bashkë-autor, unë kam bërë kërkesë tek Revista në fjalë që pjesa që kam kontribuar unë, pra Kapitulli 3, të hiqet tërësisht nga ai publikim!”, ka shkruar Basha në Facebook. 

Ai ka thënë se kërkesa e tij është pranuar. 

“Komiteti i Publikimeve i Revistës në fjalë sot më ka njoftuar që ka miratuar kërkesën time për tërheqjen e Kapitullit 3 nga publikimi, dhe gjithashtu ka hequr edhe emrin tim nga autorësia, meqenëse unë nuk kam autorësi në pjesën tjetër të publikimit, përveç Kapitullit 3 i cili tashmë është tërhequr”, ka shkruar Basha. 

Bashkautorësia e Bashës në artikullin “Globalizing the Western Balkans: Transnational Crime, Fundamental Islam and Unholy Alliances” ku thuhet se UÇK-ja financohej nga krimi i organizuar ka nxitur reagime të shumta.

Artikullin i 2012-s, doli në pah pasi ai u zgjodh Kryetar i Kuvendit. 

Pas kësja u kërkuar edhe dorëheqja e tij, por Basha mohoi se ai i shkroi pjesët e tekstit që flisnin për lidhje të UÇK-së me trafikimin e drogës.