Ka dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës për çështjen e teksteve shkollore, pasi deputetet e pushtetit bojkotuan seancën. Të dëmshme dhe të jashtëligjshme e ka quajtur opozita vendimin e Ministrisë së Arsimit që përgjegjësia për blerjen e teksteve shkollore t’u bartet prindërve. Ata paralajmëruan edhe kallëzim penal ndaj ministres Arbërie Nagavci
Seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës për debat parlamentar lidhur me blerjen e teksteve shkollore për nxënësit ka dështuar të mbahet të hënën, në mungesë të kuorumit.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje bojkotuan seancën.
E pranishme nga ekzekutivi ishte vetëm ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ndaj të cilës opozita paralajmëroi kallëzim penal.
Edhe pse nuk pati kuorum për vazhdimin e seancës, deputetët e partive opozitare patën mundësinë t’i adresojnë kritikat e tyre, meqë kryekuvendari Glauk Konjufca u dha leje të flisnin nga 3 minuta për përfaqësues të partive.
Ata e vlerësuan të dëmshëm për procesin mësimor vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit që përgjegjësia për blerjen e teksteve shkollore t’u bartet prindërve, me subvencionim nga shteti.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se vendimi i Ministrisë që përgjegjësia për blerjen e teksteve shkollore t’u bartet prindërve, me subvencionim nga shteti, është i jashtëligjshëm.
“Kjo është e turpshme, për më shumë shkelje e ligjit përtej përgjegjësisë politike, këta njerëz më saktësisht kjo ministre ka përgjegjësi penale. E kanë shkelur ligjin, e kanë trefishuar koston e librave duke u thirrur në kursime, në vend se me u harxhua 4.8 milionë, në vend se me u shpenzua 12 milionë”, ka thënë Krasniqi. Sipas tij, kjo situatë do të shkaktojë humbjen e orëve mësimore.
Ish-ministrja e Arsimit dhe njëherësh deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se vendimi i Ministrisë ka shkaktuar pabarazi mes nxënësve.
“Qeveria e majtë e cila e vrau të vetmin element të barazisë në shkollat fillore të Republikës së Kosovës, të vetmin element të barabartë i cili ka qenë 1 shtatori, ku nga viti 2008 e tutje ata i kanë gjetur në bankat e tyre librat dhe tekstet mësimore”, ka thënë ajo.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i quajti të paguximshëm ligjvënësit e Lëvizjes Vetëvendosje.
“E para është mungesa e guximit për t’u ballafaquar me të vërtetën. E vërteta është se kudo, në secilin sektor që kjo qeveri e ky kryeministër ka prekur aty ka qenë dështimi”, ka deklaruar Tahiri. “Veç mendoni pak, preken kokën, prej temave më të thjeshta, me ligjet bazike si ato të pagave, të pagës minimale, ekonomisë, financave, infrastrukturës, raportet me ndërkombëtarët, kudo që kanë prekur krizë kanë krijuar”, ka theksuar ai.
“Seancë e jashtëzakonshme për dështimin e Qeverisë për të siguruar tekstet shkollore për nxënësit” ishte emërtimi që iu dha kërkesës së shtruar nga PDK-ja për mbajtjen e seancës javën e shkuar. E deputetët e VV-së përmes një konference për media kanë thënë se nuk morën pjesë pasi nuk u pëlqeu togfjalëshi i përdorur nga PDK-ja në emërtimin e seancës.
“E para e punës qysh në çështje, qysh në parashtrimin e çështjes e kemi një cilësim i cili është i papranueshëm për ne që është ‘dështimi në sigurimin e teksteve shkollore”, ka thënë deputeti i LVV-së, Ardian Gola. “Meqë ashiqare bëhet fjalë për një vendim të marrë rishtazi nga Qeveria e Kosovës e që kemi të bëjmë me një ndryshim të praktikës së distribuomi, më saktësisht me shpërndarjen e teksteve nëpër shkolla ne ende nuk i dimë implikimet e këtij vendimi të sakta”.
Në konferencë Gola e pranoi se ka vonesa në sigurimin e teksteve shkollore.
“Pak a shumë si vitet e kaluara kemi pasur vonesa në sigurimin e teksteve shkollore. Mirëpo ende nuk e dimë nëse këto vonesa janë për shkak të vendimit, apo thjesht për disa shkaqe që kanë qenë evidente të viteve të kaluara”, ka shtuar ai.
Kritikat ndaj pushtetit opozita i vazhdoi edhe përmes konferencave për media. PDK-ja dhe LDK-ja paralajmëruan kallëzim penal ndaj ministres Nagavci.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, u ka bërë thirrje edhe prindërve që të bëjnë kallëzim penal ndaj Nagavcit.
“Ne do t’i bëjmë një kallëzim penal ministres në këtë rast. U bëjmë thirrje prindërve që t’i bëjnë kallëzim penal në baza private ministres për privimin e fëmijëve të tyre për teste shkollore. Nuk është çështje vullneti, është obligim ligjor”, ka thënë Tahiri. Ai shtoi se Partia Demokratike e Kosovës do të angazhohet maksimalisht që vendi të shkojë në zgjedhje. “Do të angazhohemi maksimalisht si Parti Demokratike e Kosovës që vendin ta çojmë në zgjedhje, kësaj legjislaturë t’i japim fund. Kjo legjislaturë krejt çka bën krijon implikime financiare në dëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës e cila nuk bën asnjë punë të mirë për ta”, ka shtuar ai.
Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Arben Gashi, i cili po ashtu e paralajmëroi kallëzimin penal ndaj Nagavcit, ka thënë se vendimi për subvencionim të prindërve për blerjen e librave shkollore është antiligjor. Ai Qeverinë e ka quajtur të paaftë për ta menaxhuar situatën me furnizim me tekste shkollore.
“Qeveria është në shkelje të ligjit për tekste shkollore dhe në shkelje të ligjit parauniversitar. Kjo është një shkelje shumë e rëndë që Ministria po e bën dhe për këtë do të përballen sipas gjitha gjasave edhe me ndjekje penale ministrja e Arsimit”, ka thënë ai.
Më 31 gusht, Qeveria ka ndarë afër 13 milionë euro për subvencionimin e prindërve për tekstet shkollore. Vendimi u mor pasi ministrja Nagavci njoftoi se Ministria e Arsimit ka dështuar të arrijë marrëveshje me shtëpitë botuese për furnizimin e nxënësve me tekste shkollore, duke i akuzuar ato se kanë ofertuar çmime më të larta sesa ato që i shesin në librari. Këtë njoftim ministria e dha 10 ditë para nisjes së procesit mësimor.
Sivjet me libra të reja do të pajisjen nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën. Ndërsa sipas ligjit për botimet e teksteve shkollore, ata të nivelit të mesëm të ulët do të punojnë sivjet me librat e gjeneratës së kaluar. Për nivelin 1-5, ministrja ka ndarë 80 euro për nxënës, ku 50 euro parashihen për libra, ndërsa 30 për mjete shkollore. E nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën do të përfitojnë 30 euro për blerjen e pajisjeve shkollore.
Rreth 50 euro kushtojnë librat që u nevojiten nxënësve të klasës së parë, ndërsa deri në 60 euro ato për klasën e pestë, pa përfshirë tekstet e gjuhës angleze, bazuar në çmimet e publikuara në katalogët e shtëpive botuese. Në këto çmime nuk përfshihen librat e gjuhëve të huaja.
Tenderi negocious që Ministria hapi në qershor të këtij viti për blerjen e teksteve shkollore pati vlerën e rreth 4.8 milionë euro. Sipas Ministrisë, shtëpitë botuese ofertuan 500 mijë euro më shumë se që ishte i paraparë në tender.
Sipas deputetes së PDK-së, Eliza Hoxha, pushteti që nga fillimi ka bërë keqplanifikim në buxhet. Sipas saj, buxheti prej 4.8 milionë eurosh është i vogël për të mbuluar koston e librave. Ajo theksoi se Qeveria ka marrë mjetet që ishin të parapara për digjitalizim për të mbuluar subvencionimin e mjeteve.
“Ne tani nuk do të kemi digjitalizim se qeveria me vendimin për ndarjen e 12 milionë eurove ka shfrytëzuar mjetet që kanë qenë të parapara për digjitalizimin e arsimit, pasi 4.8 milionë që i kanë ndarë në fillim nuk kanë qenë të mjaftueshme”, ka deklaruar ajo në konferencën që mbajti PDK-ja në hollin e Kuvendit të hënën.
Praktika e shpërndarjes së librave falas nga Ministria e Arsimit për shkollat ka filluar në vitin 2008. Sipas udhëzimit administrativ, të publikuar në vitin 2016, pajisja e nxënësve me tekste shkollore është obligim i Ministrisë së Arsimit.
“MASHTI ka obligim që të bëjë pajisjen e nxënësve të arsimit të obliguar me tekste shkollore”, shkruan në nenin 2 të udhëzimit, ku parashihen obligimet për MASHTI-in.