Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dorëzohet kallëzim penal ndaj ministres Nagavci

Deputetët opozitarë

Foto: Driton Paçarada

Deputetët opozitarë kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci. Kallëzimi u dorëzua të martën në Prokurorinë Speciale nga anëtarët e Komisionit Hetimor për Tekstet Shkollore, me arsyetimin se subvencionimi i teksteve shkollore nga MASHTI ka shkelje ligjore.

Kryetari i Komisionit, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se raporti final ka mjaft të gjetura të shkeljes procedurale, shkeljeve ligjore dhe ka bazë për hetim të mëtejmë nga Prokuroria.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Komsioni hetimor për funksionimin e teksteve shkollore për vitin 2023/24, ka punuar me mandat nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka përmbyllur një proces të intervistimit në prani të ekspertëve të emëruar nga ana e mazhorancës dhe nga ana e opozitës dhe ky proces është përmbyllur me një raport final, i cili ka mjaft të gjetura të shkeljes procedurale, të shkeljeve ligjore dhe ka bazë për hetim të mëtejmë prokurorial lidhur me përgjegjësinë e individëve që janë marrë me këtë proces”, ka thënë ai. 

Deputeti i PDK-së Ardian Kastrati, ka thënë se ministrja Arbërie Nagavci si udhëheqëse e këtij procesi, ministri Hekuran Murati, si përgjegjës i financave, si dhe kryeministri Albin Kurti, si shef i tyre, duhet të rrëfehen në Prokurorinë Speciale.

“Në këtë raport shkruhet që ka shkelje ligjore në procesin e subvencionimit të teksteve. Ka keq menaxhim dhe keq planifikim dhe pasoja të mëdha. Në cilësinë e procesit mësimor vitin e kaluar ku madje ka përfunduar viti dhe shumë nxënës nuk i kanë marrë librat deri në fund. Përveç kësaj është ndikuar edhe në transaksione të ndryshme, ku ka mundësi që dikush i ka marrë të hollat, e që jeton jashtë shtetit për shkak se është në ‘e Kosova’ nuk i ka fëmijët fare këtu në shkollë. Kanë marrë të hollat nga subvencioni. Kjo ka ndikuar edhe me transfer të linjave buxhetore siç është nga digjitalizimi që është cilësuar si shtylla e reformës në arsim. Mbi të gjitha janë dy pasoja kryesore të cilat për mua konsumojnë edhe elemente të veprës penale. E para është që në komisionin hetimor ata nuk kanë arritur të arsyetojnë se ku kanë mbetur 6 milionë euro diference. Nga 4 milionë të planifikuara ata i kanë harxhuar 11 milionë në vitin e kaluar. Përveç kësaj nxënësit nga klasa 6-9 nuk i kanë marrë fare librat. Nagavci si udhëheqëse e këtij procesi, Murati si përgjegjës që i kanë shpenzimet financiare dhe Kurti si shef i këtyre të parëve duhet të rrëfehen te prokuroria speciale”, ka thënë ai.

Anëtari i këtij komisioni hetimor, Agim Veliu, ka deklaruar se nëpërmjet subvencionimit ka pasur tejkalim të buxhetit dhe shpenzime më të mëdha të parasë.

“Kjo është vërtetuar edhe me procesin e intervistimit të dëshmitarëve që janë paraqitur para komisionit. Është fat i mirë që një grup i ekspertëve e ka hartuar një raport me të gjetura reale dhe këtë raport ne sot e dorëzojmë në Prokurorinë Speciale”, ka shtuar Veliu, njëherit deputet i LDK-së.

Sivjet ka qenë hera e dytë që Ministria e Arsimit ka subvencionuar blerjen e teksteve shkollore.

Kjo ishte bërë me arsyetimin që të mos ketë keqpërdorim të parasë publike.

Viteve paraprake MASHTI siguronte tekstet shkollore dhe i dorëzonte nëpër shkolla.