Arbëri

Nagavci reagon pas dorëzimit të kallëzimit penal ndaj saj: I pritshëm, por do të hidhet poshtë

Arberie Nagavci

Foto: Driton Paçarada

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e ka quajtur të pritshëm dorëzimin e kallëzimit penal ndaj saj nga deputetët opozitarë të martën. Kallëzimi u dorëzua në Prokurorinë Speciale nga anëtarët e Komisionit Hetimor për Tekstet Shkollore, me arsyetimin se subvencionimi i teksteve shkollore nga MASHTI ka shkelje ligjore.

Ajo ka thënë se partitë opozitare, PDK-LDK-AAK, janë përpjekur ta rikthejnë sistemin e vjetër në çdo mënyrë, “në media dhe në Kuvend”, por nuk ia dolën.

“PDK-LDK-AAK, të bashkuar si gjithnjë, sot paskan dorëzuar kallëzim penal ndaj meje për subvencionimin e nxënësve për tekste dhe materiale shkollore. Shumë e pritshme nga këto subjekte, kur e dimë mirëfilli se cilat grupe interesi kemi prekur. Reagimet nisën që atë ditë kur shkëputëm praktikën 20-vjeçare të blerjeve milionëshe të teksteve shkollore me kontrata njëburimore, të mbushura me hallka dhe mundësi abuzimi. Krijuam një proces transparent të subvencionimit të drejtpërdrejtë, ku çdo formë dhe mundësi abuzimi u eliminua”, ka shkruar ajo në Facebook.

Nagavci ka shtuar se kallëzimi penal do të hidhet poshtë, pasi komisioni nuk e ka përfunduar punën dhe nuk është miratuar raporti i tij.

“Ky kallëzim penal do të hidhet poshtë, ashtu si edhe i kaluari që u hodh poshtë javën e kaluar. Nga librat duhet të përfitojnë së pari dhe kryesisht nxënësit, jo grupet e interesit”, është shprehur ajo.