Deputetë të opozitës, që janë pjesë të Komisionit hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore, kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të martën. Ata kanë vlerësuar se para organit të akuzës duhet të përgjigjen ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ministri i Financave, Hekuran Murati, e edhe kryeministri Albin Kurti. Ndaj kësaj nisme ka reaguar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci
Draftraporti i Komisionit hetimor parlamentar për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore ka përfunduar në Prokurorinë Speciale të martën.
Deputetë të opozitës, që janë pjesë e këtij komisioni, kanë dorëzuar kallëzim penal dhe kanë thënë se para organit të akuzës duhet të përgjigjen ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ministri i Financave, Hekuran Murati, e edhe kryeministri Albin Kurti.
“Ky proces është përmbyllur me një raport final, i cili ka mjaft gjetje të shkeljes procedurale, shkeljeve ligjore dhe ka bazë për hetim të mëtejmë prokurorial të lidhur me përgjegjësinë e individëve që janë marrë me këtë proces. Bazuar në këto të dhëna, Komisioni hetimor, me gjithë faktin që në tri mbledhjet e fundit mazhoranca nuk ka marrë pjesë, nuk është votuar në komision dhe nuk është proceduar në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, kemi marrë iniciativën që draftin e punuar nga ana e ekspertëve ta deponojmë në Prokurorinë Speciale”, ka thënë Shemsedin Dreshaj, kryetar i Komisionit hetimor për tekste shkollore.
E deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ka akuzuar pushtetin se ka fshehur raportet që tregojnë përfituesit nga subvencioni.
“Na janë fshehur raportet, të cilat ne i kemi kërkuar. Një prej raporteve që ne e kemi kërkuar ka qenë lista e përfituesve nga subvencionimi me tekste shkollore dhe Ministria e Arsimit dhe Ministria e Financave asnjëherë nuk e kanë dorëzuar një raport të tillë. Mirëpo me iniciativën për të dërguar këtë raport të ekspertëve në Prokurorinë Speciale, nuk do të mund ta fshehin listën e përfituesve dhe në listën e përfituesve, sipas të dhënave që i kemi marrë nga qytetarët, ka përfitues edhe jashtë vendit dhe ky është keqpërdorim i buxhetit”, ka thënë Haxhiu.
Opozita kritikoi edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për mospjesëmarrje në tri mbledhjet e fundit të komisionit. Deputeti nga radhët e LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se mosprania e deputetëve të LVV-së në mbledhjet e komisionit ndërlidhet me gjetjet për shkelje ligjore.
“Këtë raport me këto gjetje po e dërgojmë për hetim në Prokurorinë Speciale, meqë pozita ka refuzuar që të marrë pjesë në disa mbledhje të komisionit, duke e parë që janë në shkelje të ligjit dhe në tejkalim të buxhetit shumë herë më shumë se forma tjetër e furnizimit të nxënësve me tekste”, ka thënë ai.
Ndaj kësaj nisme ka reaguar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se ky kallëzim penal do të hidhet poshtë pasi raporti nuk është miratuar në Kuvend.
“U përpoqën në çdo mënyrë dhe me çdo mjet, në media dhe në Kuvend, për ta rikthyer sistemin e vjetër, por nuk ia dolën. Së fundi kanë krijuar Komision hetimor, të cilin e kemi përkrahur edhe ne si grup parlamentar i lëvizjes Vetëvendosje dhe unë si ministre e Arsimit, sepse nuk kemi çfarë të fshehim”, ka thënë ajo. “Megjithatë, pa përfunduar punën aty dhe pa miratuar Raportin e Komisionit Hetimor, i janë drejtuar Prokurorisë Speciale me kallëzim penal. Ky kallëzim penal do të hidhet poshtë, ashtu si edhe i kaluari që u hodh poshtë javën e kaluar”, ka shkruar Nagavci.
Të shtunën deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje akuzuan kolegët e tyre opozitarë, duke thënë se kanë hartuar draftraportin në zyrat e PDK-së dhe duke mos përfillur kërkesat ligjore. Përmbajtjen e dokumentit e quajtën propagandë, që për qëllim ka efektin elektoral.
Ky Komision hetimor është themeluar në prill të këtij viti, pas dyshimeve të ngritura se ka pasur keqmenaxhim në procesin e subvencionimit të prindërve për blerjen e teksteve shkollore.
Në dy vjetët e fundit Qeveria ka vendosur që librat për nxënësit e shkollave prindërit t’i blejnë vetë, duke i subvencionuar ata. E në të shkuarën Qeveria ua siguronte nxënësve vetë librat.