Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, bazuar në gjetjet e ekspertëve në Draftraportin e Komisionit hetimor parlamentar për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore, ka thënë se 6 milionë euro për këtë proces nuk kanë adresë.
Megjithatë, ai ka ngurruar të hedhë akuza. Ka thënë se pret që këtij rasti t’i japë epilog Prokuroria Speciale.
“Puna jonë si Komision ka qenë përmbyllje e të gjeturave nga personat e intervistuar, të analizuar dhe finalizuar nga ana e ekspertëve, të cilat janë dorëzuar para 12 ditëve në Kuvend. Ekspertët gjatë intervistimit kanë gjet shkelje ligjore në të drejtën e subvencionimit në këtë formë. Kanë gjet shkelje në procesin e shpërndarjes, në menaxhimin material, pra janë gjetur keqpërdorime materiale - 6 milionë euro të cilat nuk kanë adresë. Kjo duhet të hetohet nga një palë e tretë, që është Prokuroria”, ka thënë Dreshaj në “Interaktiv” të KTV-së.
Dreshaj ka thënë se me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, nuk komunikon që kur ajo u konstatua se shkeli Kushtetutën në vitin 2022 kur Ministria që e drejton pati vendosur t’i kthejë mbrapsht reformat arsimore në Kamenicë.
“Për mua, Arbërie Nagavci nuk është dashur të jetë ministre. Nuk komunikoj me të për shkak të shkeljes kushtetuese. Duhet me reagu sepse duhet me thënë diçka”, ka thënë Dreshaj kur u pyet për reagimin e Nagavcit pasi sot (e martë) deputetët e opozitës dorëzuan në Prokurorinë Speciale Draftraportin e Komisionit hetimor parlamentar për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore.
Të shtunën deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje akuzuan kolegët e tyre opozitarë, duke thënë se kanë hartuar Draftraportin në zyrat e PDK-së dhe duke mos përfillur kërkesat ligjore. Përmbajtjen e dokumentit e quajtën propagandë, që për qëllim ka efektin elektoral.
Por Dreshaj ka thënë se ekipi i ekspertëve ka qenë i autorizuar nga Komisioni, “i zgjedhur nga pushteti me mbështetjen tonë”.
Ky Komision hetimor është themeluar në prill të këtij viti, pas dyshimeve të ngritura se ka pasur keqmenaxhim në procesin e subvencionimit të prindërve për blerjen e teksteve shkollore.
Në dy vjetët e fundit Qeveria ka vendosur që librat për nxënësit e shkollave prindërit t’i blejnë vetë, duke i subvencionuar ata. E në të shkuarën Qeveria ua siguronte nxënësve vetë librat.