LAJMET E MBRËMJES

Drejtorët e DKA-ve kritikojnë formën e subvencionimit të librave

Kritika për formën e blerjes së teksteve shkollore kanë shprehur drejtorë të arsimit të Prishtinës dhe Pejës, tek kanë folur në Komisionin hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së librave dhe mjeteve mësimore. Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë tha se subvencioni ka dëmtuar buxhetin e shtetit, ndërsa drejtori i Arsimit në Pejë tha se pagesa e prindërve për blerjen e teksteve ka përfunduar në dhjetor

Forma e blerjes së teksteve shkollore gjatë vitit të shkuar është kritikuar nga drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë dhe nga ai në Pejë.

Komisioni hetimor parlamentar për subvencionim të blerjes së librave dhe mjeteve mësimore vazhdoi të hënën intervistimin e palëve relevante në këtë proces. Këtë ditë para deputetëve raportuan drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku-Sadriu, dhe drejtori i Arsimit në Pejë,  Naser Gega.

Gjatë intervistimit pati përplasje mes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe drejtoreshës së Arsimit në Prishtinë për koston e librave. 

Deputetja e LVV-së, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, pyeti Lushakun-Sadriu nëse ende qëndron prapa deklarimit të saj se forma e subvencionimit e ka dëmtuar kuletën e shtetit. 

“Unë vetëm e kërkova opinionin e saj se a bazohet në këtë deklarim që e ka bërë në atë kohë, sepse zonja në fjalë ka thënë që është dëmtuar buxheti i Kosovës”, ka thënë ajo.

Lushaku-Sadriu deklaroi se qëndron prapa deklaratë së saj ku kishte thënë vitin e kaluar se shteti do të paguajë dy milionë euro më shumë për blerjen e librave sesa përmes tenderit me kontratë të negociuar. 

“Një indikacion shumë i thjeshtë është sa kanë kushtuar librat vitin e kaluar dhe sa kanë kushtuar sivjet dhe aty e gjen diferencën. Qysh po mendoni se kanë dalë më lirë? Atëherë dëshmojeni që ka dalë më lirë”, ka thënë ajo.

Por intervistimi i Lushakut nuk vazhdoi më shumë se kaq, meqë ajo nuk ishte drejtoreshë e arsimit në periudhën e fillimit të subvencionimit të librave shkollorë. 

Deputetët kërkuan që për intervistim të paraqitet ish-drejtoresha e Arsimit, Besianë Musmurati.

E drejtori i Arsimit në Pejë, Naser Gega, ka thënë se rreth 40 prindër nuk i kanë pranuar mjetet financiare deri në mesin e muajit dhjetor.

“Kur doli Ministria tash me kërkesën se do të shkojë në këtë formë, këtu kam qenë i zhgënjyer pasi sikur këtë vendim ta kish marrë Ministria në qershor, absolut nuk e diskutoj a është i ligjshëm ajo, vetëm kam hezituar pse në pjesën e dytë të muajit gusht është marrë ky vendim dhe tash vështirësitë kanë qenë te aplikimi dhe te subvencionimi”, ka thënë ai. 
Deputeti i  Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, kërkoi një shifër konkrete, por nuk mori përgjigje nga Gega.
“A janë 40 apo janë 30? Të lutem na numëroni. Nga 50 dolët në 40, na numëro të lutem”, ka thënë ai. 
Intervistimi i drejtorive komunale të Arsimit do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim. 

Kryetari i Komisionit hetimor, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se 14 drejtori komunale të arsimit kanë dërguar përgjigje dhe materiale në pyetjet e deputetëve. Ai theksoi se përgjigjet e Komunës së Prizrenit, Ferizajt dhe Mitrovicës nuk mund të përdoren për shkak se nuk janë përgjigjur konkretisht në kërkesat e deputetëve të Komisionit hetimor.
Komisioni hetimor parlamentar është krijuar pasi vitin e kaluar Ministria e Arsimit ka ndryshuar metodën e blerjeve të librave, meqë paraprakisht ka dështuar të arrijë marrëveshje me shtëpitë botuese. 

Përgjegjësinë për blerjen e librave Ministria ua barti prindërve përmes subvencionimit.