Arbëri

Hapet aplikimi për subvencionim të teksteve shkollore

tekstet shkollore

Foto: Ilustrim

Ministria e Arsimit e ka hapur mundësinë që prindërit të aplikojnë për subvencionim të teksteve shkollore në platformën “e-Kosova”.

Edhe sivjet, sipas MASHT-it, mjetet do të dalin nëpër xhirollogari të prindërve.

Për nxënësit nga klasa 1 deri 5 do të ndahen nga 80 euro për blerje të teksteve dhe materialeve mësimore.

E për ata nga klasa 6 deri në 9 do të ndahen nga 80 euro për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve mësimore, ndërsa tekstet pritet të përdoren nga gjeneratat e kaluar.

“Tashmë llogaritë i keni aktive nga vitet e kaluara dhe i gjithë procesi i aplikimit do të jetë shumë i lehtë. Drejtoritë Komunale të Arsimit janë njoftuar me kohë se çdo aplikim do të verifikohet nga shkollat përkatëse. Pas verifikimit do të bëhet transferi i mjeteve”, ka njoftuar ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci në Facebook.

Subvencionimi i prindërve për blerjen e teksteve shkollore vitin e shkuar, shtetit i kushtoi gati 20 milionë euro.

Metoda e subvencionimit ka filluar në vitin 2023, me vlerësimin e Ministrisë se kjo praktikë ndal abuzimin e buxhetit të shtetit. MASHTI i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore që nga viti 2008.

Por më 2023, Nagavci njoftoi se ka ndryshuar mënyrën e shpërndarjes së teksteve shkollore, për shkak të dështimit të marrëveshjes me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra, meqë sipas saj, shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime shumë më të larta sesa ato që i vendosin në libraritë e tyre.

Keqpërdorime me tekste shkollore pati evidentuar edhe një raport i auditorit para dhjetë vjetësh, ku është thënë se një mori librash në vlerë prej 500 mijë euro kanë përfunduar në bodrume të shkollave.

Për keqpërdorimet në të kaluarën, por edhe për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore, në fillim të prillit Kuvendi themeloi komisionin hetimor. Por këtij komisioni i kaloi afati i mandatit pa arritur t’i invervistojë të gjithë personat e përfshirë.