Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Publikohet katalogu nga MASH-i, nis ndarja e mjeteve për subvencionimin e librave shkollor

Libra Shkollor - shkolla - tekste shkollore

Foto: Driton Paçarada

Ka filluar ekzekutimi i mjeteve për subvencionimin e librave shkollor. Ministria e Arsimit dhe Shkencës edhe këtë vit ka vendosur të subvencionojë prindërit për blerjen e librave shkollor për fëmijët. 

Prindërit që i kanë  fëmijët në klasën e parë apo të dytë janë subvencionuar për tekste shkollore me 60 euro, për klasën e 3 me 65 euro, për klasën e katërt 70 euro, të pestën 80 euro, të gjashtën e shtatën 90 euro, ndërsa për të tetën dhe të nëntën 100 euro. 

Viti shkollor nis më 1 shtator, ndërsa Ministria e Arsimit ka publikuar vetëm të enjten katalogun e librave për vitin shkollor 2026/27

“Me miratimin dhe publikimin e katalogut sot, prindërit/kujdestarët ligjorë mund të blejnë tekstet shkollore.  MASh u bën thirrje prindërve që gjatë blerjes të sigurohen se tekstet shkollore po blihen me çmimet e përcaktuara në katalogun zyrtar të MASh, i cili është i qasshëm online në uebfaqen e Ministrisë.  Ju njoftojmë gjithashtu se nga sot, e deri në nisjen e vitit të ri shkollor, Inspektorati i Arsimit nisë monitorimin intensiv dhe të vazhdueshëm të pikave të shitjes, me qëllim verifikimin e respektimit të çmimeve të përcaktuara në katalog. Monitorimi do të kryhet në të gjitha njësitë e shitjes në mënyrë të vazhdueshme. Kurse pas fillimit të vitit shkollor, Inspektorati i Arsimit do të nisë verifikimet në shkolla, me qëllim konstatimin nëse nxënësit janë pajisur me tekstet shkollore”, ka njoftuar MASH-i.

Ka pasur kritika të shumta nga deputetë të ish-partive opozitare për vonesat në publikimin e katalogut dhe transferimin e mjeteve te llogaritë e prindërve.  

Edhe Në prag të vitit të ri shkollor, MASH-i ende pa katalog dhe çmime të teksteve shkollore Arbëri Në prag të vitit të ri shkollor, MASH-i ende pa katalog dhe çmime të teksteve shkollore

“Vetëm pesë ditë deri më 1 shtator! Prindërit ende nuk i kanë marrë mjetet nga MASHT-i për blerjen e librave. Për më tepër, ministri u ka thënë prindërve: mos i bleni librat, sepse jemi duke negociuar çmimet me shtëpitë botuese. Tash, kur kanë mbetur vetëm pesë ditë deri më 1 shtator, qëllojani se pozita e kujt është forcuar në këto negociata. Mos të harrojmë se ka komuna që nuk kanë as librari. E prindërit e dinë shumë mirë çka heqin çdo vit t'i gjejnë të gjitha librat, sepse shtëpitë botuese si biznese private që janë i shtypin librat bazuar në kërkesë. Amatera! Një prej gjërave që ka funksionuar mirë në arsim ka qenë pikërisht furnizimi i nxënësve me libra edhe këtë e përmbyset”, shkroi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, të mërkurën. 

“1 SHTATORI - PA LIBRA!  Hajrulla Çeku si ministër i Kulturës mbahet mend që e bllokoi krejt Prishtinën jashtëligjshëm, tu e përdorë një draft dokument për trashëgimi kulturore që u bë akt ligjor tek tash më 5 qershor 2026. E la krejt Kosovën pa “Teatër Kombëtar”, i cili qe 4 vjet është në renovim. I bie që një gjeneratë e “Akademise se Arteve” i ka nisë studimet edhe ka diplomu pa shku kurrë në Teatrin Kombëtar. E la krejt Kosovën edhe pa “Muze Kombëtar”, i cili me vite është në renovim, duke i rreziku edhe krejt reliktet aty, të cilat janë vendosë në hapsira joadekuate për ruajtje. Tash, si ministër i Arsimit, e bllokoi edhe procesin mësimor. 1 shtatori po vjen dhe nuk arriti me ua siguru nxënësve mjetin bazë të mësimit, LIBRAT. Kudo që janë këta, veç një punë dinë me bo, ME BLLOKU! Mjerë ky popull për ju. Qe 6 vjet veç përralla jeni tu i kallzu”, ka shkruar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në Facebook.