Partitë politike i kanë tërhequr numrat për renditjen e tyre në fletëvotimin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit. Kryetari i KQZ-së ka njoftuar se pas shortit do të dizajnohet fletëvotimi që më 17 shtator duhet të jetë i gatshëm për t’u vënë në dispozicion të votuesve jashtë Kosovës. Për zgjedhjet lokale, në garë do të jenë 93 subjekte politike
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka organizuar të enjten, hedhjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
93 subjekte politike kanë tërhequr numrat e tyre që ishin nga 100 deri në 199.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se pas tërheqjes së shortit, KQZ-ja do të vazhdojë me përgatitjen e përmbajtjes së fletëvotimit që duhet të përfundojë para 17 shtatorit.
“Pas tërheqjes së shortit, KQZ do të miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve, për të mundësuar nga 17 shtatori fillimin e votimit me postë për mbi 46 mijë votuesit jashtë Kosovës. Gjithashtu, aktiviteti i sotëm i hap rrugën 93 subjekteve politike dhe mijëra kandidatëve të tyre që nga 13 shtatori të fillojnë zyrtarisht fushatën zgjedhore”, ka thënë Radoniqi.
Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë numrin 105.
Partia Demokratike e Kosovës do të jetë me numër 191 e Lidhja Demokratike me numrin 113.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të mbajë numrin 174, pastaj Nisma Soacialdemokrate 186, Partia Socialdemokrate 149, Guxo 118, Alternativa 103, Iniciativa Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin 101 dhe Lista Serbe 170.
Radoniqi është shprehur se KQZ-ja është angazhuar maksimalisht për proces zgjedhor të drejtë e transparent dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Angazhim të njëjtë ka kërkuar edhe nga kandidatët që do të jenë pjesë e garës zgjedhore.
“KQZ-ja i fton të gjitha subjektet politike dhe kandidatët të angazhohen për një proces zgjedhor duke respektuar ligjet dhe rregullat zgjedhore në fuqi”, ka thënë Radoniqi.
Më 12 tetor, do të garojnë 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.
Zgjedhjet e fundit lokale janë mbajtur në tetor të 2021-tës.