Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka tërhequr shortin e numrave të subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Në prag të tërheqjes së shortit, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i ka ftuar partitë politike që t’iu përmbahen rregullave zgjedhore
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, u ka bërë thirrje partive politike t’i respektojnë rregullat zgjedhore.
Thirrjen ai e bëri të dielën, në prag të tërheqjes së shortit për numrat e tyre në fletëvotime. Radoniqi ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të fushatës në frymë demokratike.
“Ky moment u hap rrugën subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre që pas disa ditësh të fillojnë fushatën zgjedhore sipas afateve të përcaktuara. Në këtë fazë të rëndësishme dua t’i ftoj të gjitha subjektet politike dhe kandidatët që angazhimin e tyre ta zhvillojnë në frymë të bashkëpunimit, respektit dhe përkushtimit ndaj rregullave dhe ligjeve zgjedhore”, ka thënë Radoniqi.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit Lëvizja Vetëvendosje do ta garojë me numrin 116.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka ftuar të gjithë të bashkohen me këtë parti dhe të votojnë numrin e saj në fletëvotim.
“Me numrin 116 bashkë me qytetarët angazhohemi për një fitore edhe më të madhe”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Partia Demokratike e Kosovës do të ketë numrin 130 në fletëvotim. Kreu i saj, Bedri Hamza, ka shkruar se 130 është numri i bashkimit për Kosovën.
“Është numri i stabilitetit, normalitetit dhe zhvillimit ekonomik. Është numri i drejtimit të sigurt dhe rrugës evropiane për vendin tonë”, ka shkruar Hamza.
E Lidhja Demokratike e Kosovës do të garojë me numrin 123. Udhëheqësi i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka zbuluar edhe sloganin për zgjedhjet e radhës.
“Zgjedh shpresën, 123 është numri ynë!”, ka shkruar Abdixhiku.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojë me numrin 129 e Nisma Socialdemokrate me numrin 122.
113 është numri i Ballit Kombëtar, ndërsa Fjala mban numrin 114, kurse Nisma Qytetare për Kosovë – 117.
Në shortin e tretë që KQZ-ja e tërhoqi për vitin 2025 ishte vetëm një kandidat i pavarur, Nexhmendin Sejdillar, që synon ulësen e vetme të komunitetit goran në Kuvend dhe ai do të garojë me numrin 199.
Në garë për ulësen e komunitetit goran është edhe Partia Unike Gorane (JGP) me numrin 118.
Nga subjektet serbe: 121 është numri i Kosovski Savez, me 127 garon Lista Serbe, ndërsa me 134 është i renditur subjekti i udhëhequr nga Nenad Rashiq, Për Liri Drejtësi dhe Mbijetesë (ZSPO).
Për ulëset e komunitetit boshnjak garon NDS-ja e Emilija Rexhepit me numrin 111, Koalicioni Vakat i Rasim Demirit me numrin 132 dhe SDU-ja e Duda Bales me numrin 126.
Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës do të kërkojë votë me numrin 115. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës do ta mbajë numrin 133 në fletëvotim e Kosovaki Nevi Romani Partia do ta mbajë numrin 124. Në zgjedhjet e 28 nëntorit në garë është vetëm një parti e komunitetit turk, KDTP-ja me numrin 112.
Nga komuniteti ashkali garon Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve (PSA) dhe në fletëvotim do të ketë numrin 131, kurse koalicioni PAI-PDAK-LPB paraqitet me numrin 125.
Nga komuniteti egjiptian garojnë Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës e ministrit në detyrë Elbert Krasniqi me numrin 128 dhe Partia Liberale Egjiptiane e udhëhequr nga deputeti Veton Berisha me numrin 120.