LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Iu ofrova palëve me propozimin për ta hartuar statutin, por refuzuan

Kryeministri Albin Kurti pranoi se në takimin e 2 majit me presidentin Aleksandër Vuçiq, ekipi menaxhues do ta prezantojë draftin e statutit të Asociacionit. Ai nuk shprehu pritjen se dokumenti do të pranohet nga Kosova, dhe tregoi se ua ka theksuar palëve gatishmërinë që vetë ta shkruajë draft-statutin. Kurti tha se do të kujdeset që përmbajtja e draftit të jetë konform Kushtetutës, ligjeve, e edhe qëllimeve dhe parimeve të vëna nga Kosova.

Kryeministri Albin Kurti tha se ende nuk e di agjendën e takimit të 2 majit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, por konfirmoi se në këtë takim ekipi menaxhues do ta prezantojë draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai nuk shprehu pritjen se dokumenti do të pranohet nga Kosova, por tregoi se ua ka shprehur palëve gatishmërinë që vetë ta shkruajë draft-statutin.

“Unë kam ofruar që ta shkruaj unë draf-statutin, por me ato tri shtyllat parimore të cilat duhet të pranohen paraprakisht. Një gjë e tillë u refuzua dhe mua më është thënë nga ndërmjetësitë që këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues si pasojë e marrëveshjeve të mëhershme në dialogun e Brukselit, në ato vitet para një dekade. Pra, tash i përket ndërmjetësit që ta përcaktojë agjendën e takimit të radhës më 2 maj”, tha Kurti.

Bazuar në tri shtyllat që ka përmendur kryeministri, draft-statuti i Asociacionit duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me qëndrimet zyrtare që për të kanë dhënë Brukseli dhe Washingtoni.

Kurti theksoi se ekipi menaxhues që do ta prezantojë draft-statutin nuk u është përgjigjur asnjëherë thirrjeve të institucioneve të Kosovës, ndonëse formalisht vite më parë është themeluar nga Qeveria.

“Draft-statuti në të kaluarën kam konsideruar se e ka për detyrë ekipi menaxhues, i cili ka një vendim të fundit të ish zëvendëskryeministrit Rakiq, nga 25 shtatori i viti 2020 për një ndërrim të përbërjes, mirëpo kaq di nga ana ime. I përket ekipit menaxhues të shfaqet. Por ministri im Elbert Krasniqi i ka bërë ftesë për takim këtyre, mirëpo ata nuk janë përgjigjur asnjëherë”, tha Kurti.

Autoritetet në Kosovë kanë kontestuar edhe përbërjen e ekipit menaxhues përgjegjës për hartimin e draft-statutit të Asociacionit, meqë një nga anëtarët e caktuar me propozim nga komunat me shumicë serbe aktualisht është deputet i Serbisë.

Kryeministri Kurti tha se do të kujdeset që përmbajtja e draftit të jetë konform Kushtetutës, ligjeve, e edhe qëllimeve dhe parimeve të vëna nga Kosova.