LAJMET E MBRËMJES

Heshtja e Qeverisë për Asociacionin

E padefinuar ka mbetur çështja e draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pas refuzimit të atij të BE-së e mosvlefshmërisë së zotimit për t`u hartuar një i tillë nga institucionet e Kosovës. Derisa Qeveria nuk ka dhënë përgjigje se si do të veprojë me këtë marrëveshje, njohësit e zhvillimeve politike janë të ndarë në lidhje me atë se si duhet të veprohet

Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë përgjigje se si do të veprohet me zbatimin e marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri Albin Kurti ka refuzuar draftstatutin e ofruar nga Bashkimi Evropian, derisa zotimi për të hartuar një të tillë vetë ka vlejtur vetëm një ditë.

Që nga 24 maji, nga Zyra e Kryeministrit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS në lidhje me këtë çështje.

Qasja e ekzekutivit karshi kësaj marrëveshjeje është duke u konsideruar joserioze nga njohës të zhvillimeve politike në vend.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë se ekzekutivi duhet të hartojë draftin e tij për Asociacionin. Por ka shtuar se dokumenti duhet të draftohet në bashkëpunim me ndërkombëtarët, pasi në të kundërtën ngre dyshime se do të jetë i pranueshëm për ta.

“Nëse qeveria është e sigurt në atë që po thotë atëherë duhet me procedu me draftin e Kosovës, por duhet të bëhet jo me pritë, sepse nëse ne presim ai draft nuk do të vlejë pas dy muajve, çka nëse ndryshojnë rrethanat më BE pas zgjedhjeve parlamentare, shumë gjëra janë në pikëpyetje”, ka thënë ai.

Sipas Arifit, mospërgjigjja e Qeverisë për këtë temë është ikje e përgjegjësisë në lidhje me Asociacionin e mungesë e vullnetit për të ecur në drejtim të zbatimit të marrëveshjes.

“Qeveria vetëm po kërkon që me humbë kohë deri në zgjedhjet e ardhshme, edhe zgjedhjet e rregullta do të mbahen shumë shpejt kështu që po mendoj që është ikje e përgjegjësisë nga detyrat që ata janë aty për të marrë vendime”, ka shtuar ai

Ndërkohë, analisti Artan Muhaxhiri ka deklaruar se një draft eventual i hartuar nga ana e Kosovës nuk do të pranohej nga bashkësia ndërkombëtare. Sipas tij, pa e përcjellë në Kushtetuese draftin e BE-së, të cilin qeveria e ka pranuar në tetor të vitit të shkuar nuk do të ketë zhvillime avancuese në arenën ndërkombëtare për Kosovën. “Qeveria e Kosovës mund të bëjë lojëra politike sa të dojë, mirëpo të gjitha do të jenë humbje e energjisë politike, sepse në fund përgjigjen që do ta marrin nga Amerika dhe nga Evropa do të jetë e njëjtë. Pra, duhet të diskutohet mbi draftin e BE-së, i cili është dakorduar edhe mes tyre dhe nuk ka asnjë mundësi që të zhvendoset ky draft nga agjenda”, ka thënë Muhaxhiri.

Sipas tij, ekzekutivi “nuk ka asnjë mundësi” të ecë përpara me ndonjë opsion tjetër pas qëndrimeve të Francës, Gjermanisë, Italisë e SHBA-së për draftin e prezantuar nga BE-ja.

Në lidhje me përmbajtjen e tij, Muhaxhiri e sheh të rrugës që drafti i BE-së të shqyrtohet fillimisht nga Gjykata Kushtetuese, e më pas të kryhen përmirësimet e nevojshme.

“Është e kotë që të diskutohet për pika nëse ato të fund duhet të hidhen poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Kështu që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për validitetin e këtij drafti pastaj mund të ketë edhe diskutime për ndonjë pikë eventuale mirëpo baza do të jetë aty, mund të ketë ndonjë diskutim për ndryshime të vogla për amendamentim po shtylla dhe ideja, fryma do të jetë ajo që është aktualisht dhe çdo gjë tjetër është e padiskutueshme për ndërkombëtarët”, ka thënë ai.

Zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin është pjesë edhe e dakordimit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë një vit më parë. Në tetor të vitit të shkuar, kryeministri Albin Kurti pranoi draftstatutin e hartuar nga Bashkimi Evropian si pako me marrëveshjen e arritur në Bruksel e aneksin e saj të dakorduar në Ohër. Por, pas refuzimit nga Serbia që të nënshkruaj këtë grup dokumentesh, kryeministri Kurti nuk pranoi që të merret me draftin të prezantuar si të hartuar nga BE-ja.

Dërgimi i këtij drafti, të refuzuar nga Kurti, në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim më vonë u bë kusht nga bashkësia ndërkombëtare për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.  Një ditë para takimit të komitetit të Ministrave, Qeveria e Kosovës përcolli një zotim se do të hartojë një draft të saj për Asociacionin. Por pas dështimit që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, autoritetet e Kosovës hoqën dorë nga zotimi i dhënë.