Botë

Mamdani thotë se është i gatshëm t’i kundërvihet Trumpit për New Yorkun

Zohran Mamdani

Foto: Associated Press

Në intervistën e tij të parë që nga zgjedhja si kryebashkiak i New Yorkut, Zohran Mamdani i ka thënë ABC-së se fitorja e tij i jep atij një mandat për të ndjekur një "agjendë ambicioze përballueshmërie", duke synuar transformimin e "qytetit më të shtrenjtë" në SHBA në "një qytet të përballueshëm".

I pyetur nëse mund ta bëjë këtë pa rritur taksat, ai ka thënë se do të duhet t'i rrisë ato për "1%  për njujorkezët më të pasur".

Para zgjedhjeve, presidenti i SHBA-së, Donald Trump kishte kërcënuar të shkurtonte fondet federale për qytetin nëse Mamdani fitonte. 

Mirëpo Mamdani ka thënë se është i përgatitur t’i kundërvihet presidentit nëse ai vendos të dëmtojë qytetin e New Yorkut.

“Kërcënimet e tij janë të pashmangshme”, ka thënë Mamdani.

Mamdani planifikon të prezantojë një taksë të sheshtë prej 2% për njujorkezët që fitojnë më shumë se 1 milion dollarë në vit. Ai gjithashtu planifikon të rrisë normën e taksës së korporatave në New York në 11.5%. Ai thotë se kjo do të mbledhë rreth 9 miliardë dollarë.

I pyetur nëse kjo do t'i largojë krijuesit e vendeve të punës nga qyteti, Mamdani ësht shprehur se punëtorët tashmë po largohen për shkak të kostos së lartë të kujdesit për fëmijët, duke e bërë të vështirë për bizneset të mbajnë talentet.