Zohran Mamdani, socialist demokrat 33-vjeçar, i cili, nëse zgjidhet, do të bëhej myslimani i parë që udhëheq qytetin e New Yorkut, ka fituar rundin e parë të primareve të Partisë Demokratike, sipas rezultateve preliminare – megjithatë, mund të duhen disa ditë derisa të konfirmohen përfundimisht. Zgjedhjet për kryetar të New Yorkut do të mbahen më 5 nëntor të këtij viti.
Me 91 për qind të votave të numëruara në rundin e parë të primareve, Mamdani, që aktualisht është përfaqësues në Asamblenë e Shtetit të New Yorkut, ka siguruar 43.5 për qind të votave. Ish-guvernatori i New Yorkut, Andrew Cuomo, i cili deri vonë shihej si favorit, mori 36.4 për qind dhe pranoi humbjen të martën në mbrëmje. Duke folur në një tubim elektoral, Cuomo ka thënë se Mamdani kishte bërë “fushatë shumë të zgjuar, të mirë dhe me ndikim”.
Në vend të tretë doli Brad Lander, me 11.4 për qind.
Qyteti i New Yorkut përdor sistemin e votimit me renditje të preferencave, dhe meqenëse asnjë kandidat nuk pritet të kalojë pragun prej 50 për qind, komisioni zgjedhor do të fillojë të numërojë votat për kandidatët e dytë të preferuar (nëse kandidati për të cilin kanë votuar eliminohet, vota i shkon kandidatit të dytë të preferuar). Mamdani, i cili javën e kaluar e kishte mbështetur publikisht Landerin, pritet të përfitojë më shumë nga ky proces sesa Cuomo.
Ngjitja befasuese e Mamdanit shihet si goditje për elitën demokrate dhe si frymëzim për kandidatët e tjerë progresistë në mbarë SHBA-në. Cuomo kishte përkrahjen e donatorëve të pasur dhe të figurave qendrore, përfshirë Bill Clintonin, ndërsa Mamdani përfitoi nga një valë entuziazmi në mesin e të rinjve.
Cuomo nuk e përjashtoi mundësinë të kandidojë si i pavarur.
Në primaret e sivjetmë votuan dyfish më shumë se në vitin 2021.
Edhe pse fitorja në primare nuk garanton automatikisht postin e kryetarit të qytetit, në një metropol që është bastion i demokratëve, Mamdani është tashmë favorit për të qenë kryetari i 111-të i New Yorkut. Kryetari aktual, Eric Adams, i zgjedhur si demokrat në vitin 2021 por që këtë vit garon si i pavarur, është jashtëzakonisht jo i popullarizuar. Adamsi u padit vitin e kaluar për ryshfet dhe kontribute të huaja ilegale në fushatë, por akuzat u hodhën poshtë në prill, pas ndërhyrjes së administratës së Trumpit.