LAJMET E MBRËMJES

Klinaku e Selmani mohojnë fajësinë për kërcënimin e Kurtit. Ai nuk kërkon dëmshpërblim

Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani janë deklaruar të pafajshëm ndaj aktakuzës së Prokurorisë Speciale, e cila i ngarkon ata me kërcënim ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Në seancën e shqyrtimit fillestar Kurti ka marrë pjesë në cilësinë e palës së dëmtuar, ani se pjesëmarrja e tij nuk ka qenë e detyrueshme. E paraqitjen e tij në këtë seancë e kanë kritikuar përfaqësues të partive që në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë, duke e kualifikuar si zbatim të standardeve të dyfishta në drejtësi

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është paraqitur të mërkurën para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar për rastin në të cilin Prokuroria i akuzon Faton Klinakun dhe Nuredin Selmanin për kanosjen e tij. 

Në këtë seancë Kurti është paraqitur si palë e dëmtuar.

Bazuar në aktakuzën e prokurorit Bekim Kodraliu, ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Faton Klinaku, e ka publikuar në Facebook një shkrim, me të cilin e ka kanosur kryeministrin në detyrë.

“I pandehuri Faton Klinaku më datën 29.8.2023 në Prishtinë, me dashje dhe me qëllim që ta frikësojë dhe ta detyrojë personin zyrtar, tani të dëmtuarin Albin Kurti në cilësinë e tij si kryeministër i Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë apo të mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, i pandehuri Faton Klinaku seriozisht dhe publikisht e ka kanosur përmes profilit të tij personal, në rrjetin social Facebook duke postuar shkrime kërcënuese si në vijim: aq i dëshpëruar votuesi i tij, saqë tha se ‘votën ja dhashë për ndryshim, lëre që nuk ka bërë por po shkojmë edhe më shumë teposhtë dhe nuk ka mbetur gjë përveçse me ikë jashtë’. I thashë ‘as nuk kam votuar, as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk pres nga ai, e sa i përket daljes jashtë më parë e vras Albin Kurtin sesa që ja lëshoj rrugën e iku nga Kosova”, është thënë në aktakuzë. 

Gjatë seancës së të mërkurës prokurori special Kodraliu ka thënë se edhe i akuzuari Selmani e ka kanosur me vrasje kryeministrin në detyrë.

“I pandehuri Nuredin Selmani më datën 30.8.2023 në Drenas, me dashje dhe me qëllim që ta frikësojë dhe detyrojë personin zyrtar, tani të dëmtuarin Albin Kurti në cilësinë e tij si kryeministër i Qeverisë së Kosovës, që të ndërmarrë ose mos të ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës zyrtare, i pandehuri Nuredin Selmani seriozisht dhe publikisht e ka kanosur përmes profilit të tij personal në rrjetin social Facebook me emrin Nuredin Drenica, duke iu referuar postimit kërcënues të bërë nga i pandehuri Faton Klinaku, me ç’rast i pandehuri Selmani ka postuar publikisht një fotografi në të cilën është montuar fotoja e të dëmtuarit Kurti krahas asaj të Faton Klinakut, duke e shoqëruar me një shkrim kërcënues të adresuar ndaj të dëmtuarit si në vijim ‘e mbështes Faton Klinakun, veç një telefon të ma bën, Faton aty më ki për çka të ki nevojë, mezi s’po pres me ja nisë”, ka thënë ai.

Por Klinaku dhe Selmani nuk e kanë pranuar fajësinë. 

“Konsideroj që nuk kam kryer vepër penale, prandaj unë nuk e pranoj fajësinë” , ka theksuar Klinaku.
Kryeministri në detyrë Kurti ka qenë i pranishëm në seancë ani se pjesëmarrja e tij nuk ka qenë obligative. 

Ai ka deklaruar se në këtë rast e mbron veten dhe se nuk do të kërkojë dëmshpërblim.

E pas seancës së shqyrtimit fillestar, i akuzuari Klinaku ka bërë të ditur se do të paraqesë kërkesë për hedhje poshtë të aktakuzës. 

“Mirë qe ishte përballje se ju e dini qe e kam kërkuar vetë atë përballje, ju e dini që kam kërkuar edhe vetë atë përballje. Sa i përket aktakuzës konsideroj që kurrfarë vepre penale nuk ka. Dhe postimin tim që ka qenë i përsëritur figuron ende, para dy vitesh që e kam postuar në Facebook edhe nuk e heq, sepse nuk ka vepër penale. Ne luftën e kemi bërë si pjesëtarë të UÇK-së, kemi luftuar që ta kemi shtetin, ta kemi sistemin tonë të drejtësisë, prandaj është obligim i secilit qytetar që t’i përgjigjet...Procesi gjyqësor tash do të vazhdojë, përmes avokatit ne do të bëjmë kërkesën për hedhje poshtë të aktakuzës”, ka thënë ai.

Ndërkaq Selmani e ka pasur një porosi për kryeministrin në detyrë.

“Albin Kurti të mos ketë frikë nga unë, por të frikësohet nga historia që një ditë ndoshta do ta dënojë historia e popullit shqiptar. Prandaj edhe një gjë duhet ta cek, se ky ‘tuc’ duhet të lajmërohet çdoherë në Prokurori, t’i përgjigjet prokurorisë sepse duhet me dhënë përgjegjësi për paratë e shtetit, paratë e këtij populli kah po shkojnë...Unë konsideroj qe jam i pafajshëm, ta shohim”, ka thënë ai.

E jashtë sallës së gjykimit paraqitja në seancë e kryeministrit në detyrë Kurti ka prodhuar reagime dhe kritika të ashpra nga përfaqësues të partive që në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë, pasi që ai për disa herë radhazi ka refuzuar që të dëshmojë në rastin e rezervave shtetërore, duke e kushtëzuar Prokurorinë që deklaratën t’ia marrë në zyrën e tij.

Këtë paralele e ka ngritur të mërkurën deputetja e Partisë Demokratike (PDK), Vlora Çitaku, duke e kritikuar Kurtin për mosgatishmëri në dhënien e dëshmisë në “rastet ku gjykohen vartësit e tij për korrupsion”.

“Pra A.K. shkon në gjykatë për të dëshmuar kundër Klinakut, ‘krimi’ i të cilit ishte një status në Facebook. Por, kur bëhet fjalë për aferat milionëshe të vartësve të tij, refuzon t’i përgjigjet prokurorisë. Kush ka sy me pa dhe veshë me dëgju, e kupton se situata është më se e qartë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Kritikë ka shprehur edhe deputeti i Lidhjes Demokratike (LDK), Avdullah Hoti, i cili ka theksuar se paraqitja e Kurtit në gjykatë është bërë për t’u viktimizuar.

“Kur ftohet nga organet e drejtësisë për të dëshmuar në një rast të dyshuar korruptiv, ai nuk paraqitet. Në vend të kësaj, i fyen dhe i përçmon zyrtarët e drejtësisë, duke e diskredituar shtetin në sytë e qytetarëve dhe të aleatëve. Por, kur organet e drejtësisë e thërrasin për një rast të dyshuar kërcënimi ndaj tij, ai paraqitet aty pa asnjë problem duke u viktimizuar. Ky nuk është kryeministri që i duhet Kosovës” , ka shkruar ajo në rrjete sociale.

E anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arton Demhasaj, ka vlerësuar se Kurti ka përdorur standarde të dyfishta ndaj drejtësisë.

“Kryeministri në detyrë/deputeti Kurti dëshmon në gjykatë për një kërcënim! Ama për aferat me miliona e miliona euro, tenderë, korrupsion nuk bën me shku me dëshmu në Prokurorinë Speciale… aty s’ka kohë me u paraqitë, se qenka shumë i zënë me ‘drejtësi selektive’”, ka theksuar ai.

Këto kritika i ka hedhur poshtë zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu.

“Sa i përket ftesës së Prokurorisë Speciale, kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij. Përkundrazi, ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë. Ndërkaq në lidhje me rastin e kanosjes, zyrtarët hetues të autorizuar nga Prokuroria e kanë intervistuar kryeministrin Kurti pikërisht në zyrën e tij më 10 qershor 2025. Sot ai u paraqit në gjykatë si palë e dëmtuar”, ka theksuar ai.

Në seancën fillestare, në të cilën krahas Klinakut akuzohet edhe Nuredin Selmani, asnjëri nga ta nuk e kanë pranuar fajësinë. Ndërkaq kryeministri Kurti ka hequr dorë nga dëmshpërblimi.