Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën për hedhjen e aktakuzës ndaj Faton Klinakut dhe ka pushuar procedurën penale ndaj tij për veprën penale “Kanosja” ndaj kryeministrit Albin Kurti, ndërsa procedura penale do të vazhdojë vetëm ndaj të akuzuarit tjetër, Nuredin Selmani.
Në seancën fillestare, më 3 shtator 2025, Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani ishin deklaruar të pafajshëm.
Klinaku kishte shkruar në Facebook më 29 gusht 2023 se: “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.
Aktvendimi i siguruar nga “Betimi për Drejtësi” është nxjerrë më 20 nëntor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Rahman Beqiri, pas shqyrtimit të kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hedhjen e aktakuzës, të paraqitur nga mbrojtësi i Klinakut, avokati Ramë Dreshaj.
Ndaj këtij aktvendimi nuk lejohet ankesë në Gjykatën e Apelit.
Sipas aktvendimit, Gjykata ka vendosur që aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e datës 1 gusht 2025, të hudhet pjesërisht dhe procedura penale të pushohet vetëm në raport me të akuzuarin Faton Klinaku, i cili akuzohej për veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata ka konstatuar se nuk ka pasur kërkesë pasurore-juridike, ndërsa shpenzimet e procedurës penale që lidhen me këtë pjesë të aktakuzës do të mbulohen nga mjetet buxhetore të Gjykatës.
Në aktvendim theksohet se, pas plotfuqishmërisë së tij, procedura penale do të vazhdojë vetëm ndaj Nuredin Selmanit, i cili vazhdon të përballet me akuzën për veprën penale “Kanosja” sipas të njëjtit nen të Kodit Penal, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Selmani ngarkohet se kishte postuar një fotografi në të cilën ishte montuar fotoja e të dëmtuarit Kurti, krahas asaj të Klinakut, duke e shoqëruar me një shkrim kërcënues të adresuar ndaj të dëmtuarit.
“E mbështes Faton Klinakun”, “Veç ni telefon ma ban Faton, aty mki për çka të ka nevojë, mezi s’po pres me ja nisë”, citohet në aktakuzë postimi i Selmanit./BetimipërDrejtësi