LAJMET E MBRËMJES

Ish-polici serb dënohet më 15 vjet burgim për vrasjen e 13-vjeçarit në luftë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar të martën me 15 vjet burgim për krime lufte të akuzuarin Zoran Vukotiq. Ish-pjesëtari i policisë serbe është shpallur fajtor për vrasjen e 13-vjeçarit Burim Muli. Ndërsa është liruar nga tri pika të tjera në mungesë të provave. Familjarët ndonëse ishin të pakënaqur me vendimin, kanë thënë se ai ua lehtëson dhimbjen. E Prokuroria Speciale ka paralajmëruar se do të parashtrojnë ankesë në Apel për lirimin e të akuzuarit nga pikat e tjera të aktakuzës

Me 15 vjet burgim është dënuar të martën ish-pjesëtari i policisë serbe, Zoran Vukotiq, për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë, përkatësisht për akuzën për vrasjen e 13-vjeçarit, Burim Muli.
Vukotiq ngarkohej për 4 vepra për krime lufte të kryera më 1999.

“E ka vrarë djaloshin e nacionalitetit shqiptar të moshës 13-vjeçare, B.M., me armë automatike në atë mënyrë që tani viktima, së bashku me djalin e axhës së tij Faton Mulin, kishin marrë biçikletën e fqinjit Skender Bajraktari dhe kishin dalë në lagjen afër varrezave të Vushtrrisë duke lëvizur në drejtim të varrezave të qytetit. I akuzuari Zoran Vukotiq pa paralajmërim nga largësia 30-40 metra gjuan me armë zjarri në drejtim të fëmijëve duke qëlluar në gjoks fëmijën Burim Muli, i cili edhe vdes menjëherë. Të njëjtin e gjykon dënimin me burgim kohëzgjatje prej 15 vjetësh”, ka thënë Rrahman Beqiri, kryetar i trupit Gjykues pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Për pikat e tjera, gjyqtari Beqiri ka thënë se i akuzuari është liruar, meqë nuk janë gjetur prova se është fajtor.

“Gjykata nga provat e administruara nuk arrit të vërtetojë përtej dyshimit të bazuar mirë se kryesi i kësaj vepre penale është i akuzuari, gjykata që në fillim sqaron se nga provat e konkretisht dëshmia e dëshmitares B1 dhe provat është vërtetuar se është dhunuar në atë kohë në mënyrën dhe formën se siç e ka përshkruar ajo, mirëpo ajo çka gjykata nuk ka arritur të vërtetojë është nëse këtë vepër e ka kryer i akuzuari”, ka thënë Beqiri.

I akuzuari Zoran Vukotiq nuk ishte i pranishëm në shpallje të aktgjykimit të martën.

Ndërsa familjarët e të ndjerit, Burim Muli, megjithëse nuk ishin të kënaqur me vendimin, theksuan se sado pak ua ka lehtësuar dhimbjen.

“Këtu jam pak e lehtësuar se sikur nuk ka bërë asgjë, se serbi ka vrarë, ka grirë dhe po paraqiten si viktima e jo sikur kanë bërë krime në Kosovë. Gjykata ia dha 15, më mirë që është dënuar sesa mos me u dënu hiq”, ka thënë Fatime Muli, nëna e të ndjerit.

I pakënaqur është shprehur edhe Hajrullah Muli, axha i 13-vjeçarit të vrarë në luftë.

“Për neve si familjar edhe me liru nuk është asgjë, le ta lirojnë krejt për neve, 15 vjet e di që është ligji, por ne jemi shtet, duhet me formu gjykatën tonë, ligjet tona, të dënohet me ligje të shtetit të Kosovës e jo me ligje të ish-Serbisë. Nuk jemi të pajtimit, nuk jemi të kënaqur, edhe të pushkatohej nuk jemi të kënaqur, por dënimi të jetë i merituar”, ka thënë Hajrullah Muli.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, Feride Rushiti ka thënë po ashtu se nuk pajtohet me vendimin e Gjykatës që e liroi Vukotiqin nga akuza për dhunim.
Ndërsa në Prokurorinë Speciale paralajmëruan se për këtë do të parashtrojnë ankesë në Apel.

“Sot është liruar për një rast tjetër të dhunës seksuale, për çka PSRK do ta shfrytëzojë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit. Prokuroria Speciale do ta shfrytëzojë të drejtën e ankesës në Gjykatën e shkallës së dytë, edhe ndaj akuzave që kanë të bëjnë me vrasjet e civilëve në Studime të Vushtrrisë, më 2 dhe 3 maj të 1999-s. Prokuroria Speciale rithekson përkushtimin për të hetuar dhe të sjellë para drejtësisë të gjithë autorët e krimeve të luftës, shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Ish-pjesëtari i policisë serbe, Zoran Vukotiq, në një rast tjetër ishte dënuar me 13 vjet burgim për dhunim seksual gjatë luftës.

Vukotiq ishte arrestuar në mars të vitit 2016, në Nikshiq të Malit të Zi. Më pas ai ishte ekstraduar në Kosovë.