LAJMET E MBRËMJES

Fëmija 4-vjeçar pëson lëndime në këmbë nga sulmi brenda oborrit të çerdhes në Prishtinë

Kafshime në këmbën e djathtë ka pësuar të hënën një fëmijë 4-vjeçar, si pasojë e sulmit nga një qen endacak brenda oborrit të çerdhes në të cilin qëndronte.

Sulmi ka ndodhur rreth orës 15 dhe në prani të edukatores përgjegjëse.

Babai i fëmijës, Hysni Lumi, e ka përshkruar si të rëndë gjendjen emocionale të të birit.

“Rreth orës 3 na ka lajmëruar edukatorja e djalit se një qen është futur brenda rrethojave të kopshtit dhe na tha që e ka një gërvishtje, por derisa erdha te kopshti e pashë edhe ambulancën dhe e pashë që nuk është vetëm gërvishtje, por plagë më e madhe. Dhe kur u futëm brenda e pamë që gjendja është më e rëndë se që na kanë thënë. Pastaj e kemi dërguar edhe në emergjencë me kërkesë të ambulancës për t’u mjekuar më shumë. Atje është mjekuar djali. Gjendja e tij fizike është e mirë, por emocionalisht ai është i trembur”, tha Lumi.

Indira Huruglica, drejtoreshë e çerdhes për fëmijë, bëri të ditur se edukatorja ka reaguar menjëherë për ta mbrojtur fëmijën.

“Ne kemi përvoja kur personat përgjegjës i kanë marrë për kastrim dhe i kanë lëshuar prapë. Nuk mund ta bëj fajtor askënd për këtë rast, por nuk është që nuk kemi lajmëruar më herët në Komunë, ndoshta nuk e kemi bërë me e-mail, sepse nuk na ka ndodhë më herët. Do të vazhdojmë me kujdes më të shtuar dhe të sigurohemi që dyert e oborrit t'i kemi të mbyllura, sidomos kur fëmijët të jenë jashtë”, tha drejtoresha e çerdhes “Gëzimi Ynë”, Indire Huruglica.

Në Komunën e Prishtinës kanë mbajtur përgjegjës institucionin parashkollor që nuk u ka gjetur zgjidhje rrethojave të dëmtuara të objektit.

“Çerdhja është e rrethuar dhe ka rrethoja të mira stabile, dhe nëse ka pasur diku dëmtime të rrethojës është dashur të kujdesen me kohë ata që menaxhojnë me çerdhen, sepse ata i kanë dyert dhe ne nuk kemi pasur kërkesë të veçantë që ka pasur probleme me qentë endacakë brenda hapësirë së kësaj çerdheje, në rastin konkret”, tha Habib Qorri, shef i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në komunën e Prishtinës.

Lidhur me sulmin nga qeni, KOHA nuk ka arritur të vërë kontakt me edukatoren.