Edhe një ditë kohë kanë subjektet politike për të aplikuar që të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale. E derisa ende janë në pritje të aplikimeve, të martën në KQZ u certifikuan 10 subjekte, shumica prej së cilave kandidatë të pavarur
Subjektet më të mëdha politike e kanë lënë për ditën e fundit aplikimin për t’u certifikuar për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 12 tetor.
Nga njoftimi që bëri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), deri të martën kanë aplikuar 10 subjekte politike prej të cilave tetë kandidatë të pavarur.
“Periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike dhe të kandidatëve të tyre për zgjedhjet lokale të datës 12 tetor 2025 përfundon nesër më datë 13 gusht në orën 23:59. Lidhur me aplikimin për certifikim gjithsej dhjetë subjekte politike e kanë përfunduar aplikimin përmes platformës digjitale e cila është lansuar nga KQZ-ja dhe e cila platformë përdoret për herë të dytë në këto zgjedhje lokale”, ka thënë Besnik Buzhala, Drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike.
Në mbledhjen e KQZ-së ku u votua për certifikimin e këtyre 10 subjekteve me gjithsej 64 kandidatë për kryetar e për asamble komunale, është diskutuar edhe për realizimin e votimit jashtë Kosovës.
Përkitazi me përgatitjet për këtë proces, anëtarët e KQZ-së miratuan disa vendime, në mesin e të cilave edhe atë për procedurat e votimit dhe numërimit në vendvotim, e për udhëzuesin për pranimin e dorëzimin e materialeve zgjedhore në qendra komunale të numërimit.
Po ashtu, është vendosur edhe që të realizohet vizitë zyrtare për takime me përfaqësues të postave për hapjen e kutive postare në Gjermani e Zvicër.
E, nga 23 korriku deri më 29 gusht të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t'u regjistruar si votues jashtë vendit për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Aplikimi bëhet përmes platformës elektronike apo përmes postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
KQZ-ja ka njoftuar më herët se janë pranuar përmes platformës elektronike 1971 aplikime për regjistrim për votim me postë. KQZ-ja ka njoftuar se 1402 prej aplikimeve janë aprovuar, ndërsa 569 janë refuzuar.
Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tij jashtë Kosovës, si dokument identifikues në të cilin është e shënuar adresa e banimit, vërtetimi i adresës nga autoriteti lokal, kontratë e qirasë, faturë shërbimesh, dokument i lëshuar nga banka apo kompanie e sigurimit apo dokument që dëshmon adresën e personit tek i cili qëndrojnë përkohësisht. Po ashtu ndonjë dëshmi tjetër për raste specifike, si rezervim hoteli, konvikti.