Zgjedhjet lokale

104 subjekte politike aplikojnë për zgjedhjet lokale

Procesi i verifikimit të kandidatëve që kanë aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit pritet të zgjasë më shumë se zakonisht, kanë paralajmëruar në KQZ. Të enjten njoftuan se nga 104 subjektet që kanë aplikuar, verifikimi është përmbyllur për 16 sosh

Garës zgjedhore të nivelit lokal, që do të mbahet më 12 tetor, ia kanë mësyrë 104 subjekte politike.
Sipas të dhënave të ofruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pas përfundimit të afatit për t’u regjistruar, në zgjedhje do të marrin pjesë 35 kandidatë të pavarur, 34 iniciativa qytetare, 33 parti politike e 2 koalicione. Prej tyre procesin e verifikimin e kanë përmbyllur 16 sosh.

Por, të enjten në mbledhjen e KQZ-së është paralajmëruar se ky proces, për pjesën e mbetur të subjekteve politike, do të zgjasë më shumë.

Drejtori i Zyrës për Regjistrimin e Certifikimin e Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, ka renditur disa nga arsyet, pse është vendosur kësisoj. 

“Tash verifikimi i kandidatëve do të marrë goxha kohë sepse, për me ju njoftu Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjendet pothuajse në tërësi në pushim vjetor qysh është sistemi gjyqësor, kështu që verifikimi me gjasë do të marrë kohë më shumë se zakonisht, duke e pasë parasysh që rreth 90 për qind e subjekteve politike kanë përfunduar dje aplikimin në orën 23:59, andaj edhe numri më i madh i kandidatëve do të jetë, të cilët do të dërgohen për verifikim”, ka deklaruar ai.

Sipas Ligjit për Zgjedhje, për garën zgjedhore një kandidat nuk mund të certifikohet nëse është: funksionar publik me status të veçantë; anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomatik; kryesues apo anëtar i KQZ-së dhe Komisionit Komunal të Zgjedhjeve; zyrtar i PZAP-së; ose nëse me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat.

Po ashtu të drejtë kandidimi në zgjedhje nuk kanë as personat të cilat janë të dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv; apo nëse ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, apo KQZ-ja; ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it.

Anëtarët e KQZ-së u interesuan edhe për numrin e përgjithshëm të kandidatëve për zgjedhjet e 12 tetorit. 

“Meqenëse deri tash kemi vetëm kandidaturat gati individuale, tash janë subjektet e mëdha politike me numër shumë të madh të kandidatëve. A dihet përafërsisht numri i kandidatëve që duhet me u verifiku? Sa janë?”, ka pyetur Sami Kurteshi, i cili është anëtar i KQZ-së.

Sipas Buzhalës numri i kandidatëve mund të arrijë deri në 850 për subjekte politike. 

“Numri i kandidatëve dihet saktësisht që duhet të dërgohen për verifikim, por një subjekt ta zëmë i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës që përfaqëson komunitetin shumicë mund t’i mbërrijë deri 800-850 kandidatë”, ka thënën ai.

Në mesin e subjekteve politike që u certifikuan të enjten është edhe iniciativa qytetare e Ramiz Lladrovcit, që në zgjedhjet e 12 tetorit do të jetë kundërshtar i Partisë Demokratike të Kosovës.