LAJMET E MBRËMJES

Decertifikohen 12 kandidatë me kërkesë të partive politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për decertifikimin e 12 kandidatëve për zgjedhjet lokale, me kërkesë të vetë subjekteve politike. Në vend të tyre disa parti kanë bërë zëvendësime me kandidatë të rinj, ndërsa disa të tjera kanë vendosur vetëm për rirenditje të listave. KQZ-ja në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka njoftuar se kanë mbetur edhe tri ditë deri në përfundim të afatit për aplikimin e votuesve me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e së mërkurës ka miratuar decertifikimin e 12 kandidatëve për zgjedhjet lokale dhe i ka zëvendësuar me kandidatë të tjerë nga listat e partive politike. Sipas KQZ-së, ky proces është bërë për arsye personale, shëndetësore dhe ligjore të kandidatëve.

Partitë që kishin rekomanduar zëvendësimin e kandidatëve ishin: Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, Alternativa, Lista Guxo, Bashkimi Demokratik, Kosovski Savez dhe Koalicioni VAKAT.

Valmira Shabani, nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollim Financiar, tha se kanë shqyrtuar të gjitha dokumentet e kandidatëve dhe është hapur mundësia për rirenditje të listave.

Te Lidhja Demokratike e Kosovës kanë qenë dy kandidatë që kanë kërkuar decertifikim dhe të cilët do të zëvendësohen me dy kandidatë të rinj.

Partia Guxo dhe Alternativa kanë bërë vetëm tërheqje të disa kandidatëve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se kanë mbetur edhe tri ditë deri në përfundim të afatit për aplikimin e votuesve me postë, duke shtuar se deri tash janë regjistruar rreth 30 mijë votues.

Për zgjedhjet e 12 tetorit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 33 subjekte politike.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto subjekte politike është 4.913 kandidatë, prej të cilëve 156 kandidatë për kryetarë komunash dhe 4.757 për asamblistë.

Më 21 qershor KQZ-ja e kishte refuzuar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale, duke e përjashtuar këtë subjekt nga gara zgjedhore. Ky vendim u kundërshtua nga Lista Serbe, e cila e dërgoi çështjen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Pas shqyrtimit të rastit, PZAP-ja vendosi që vendimi i KQZ-së ka qenë i pabazuar dhe jo i duhur, duke i dhënë të drejtë Listës Serbe dhe duke kërkuar certifikimin e saj.

Në reagim ndaj këtij vendimi Lëvizja Vetëvendosje e ka dërguar rastin në Gjykatën Supreme, duke e kontestuar vendimin e PZAP-it dhe duke kërkuar rishqyrtim nga instanca më e lartë gjyqësore në vend.