LAJMET E MBRËMJES

Dëshmitari në rastin e Nagip Krasniqit thotë se u udhëzua nga eprorët të tregtojë me kompani të palicencuar

Gjykimi ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka vazhduar të enjten me dëshminë e një zyrtari të lartë të korporatës. Eksperti për analiza të tregut në KEK, Hasan Kerolli, ka thënë se eprorët e tij e udhëzuan që të vazhdohej tregtia me kompaninë e palicencuar sllovene, për çka KEK-u u gjobit me 3.2 milionë euro. E i akuzuari Krasniqi pati vërejtje në dëshminë e Kerollit

Eksperti për analiza të tregut dhe tregtim të energjisë në Korporatën Energjetike të Kosovës, Hasan Kerolli, ka dëshmuar të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin ku ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, akuzohet për korrupsion.

Kerolli ka thënë se eprorët e tij, Luigj Imeri dhe Edmond Nulleshi, i kanë dhënë udhëzime që tregtimi i rrymës me ndërmarrjen e palicencuar “Holding Slovenske Elektrane”, të vazhdojë të zhvillohet gjatë vitit 2022 edhe pasi kishin marrë njoftimin nga Zyra e Rregullatorit për Energji, se kjo nuk lejohet.

“Përgjigja e ZRRE-së ka qenë (se tregtimi i energjisë lejohet v.j): me kompani që janë të licencuara në Kosovë dhe me ato që kemi bashkëpunimin në Shqipëri. Pas kësaj, pas këtij emaili unë iu kam drejtuar eprorit tim që në këtë rast ka qenë Luigji e gjatë asaj kohe ka qenë duke e zëvendësuar Edmond Nulleshi.... Edmondi është përgjigjur edhe pse i isha drejtuar Luigjit dhe tha Hasan, besoj që më je drejtuar mua dhe po të përgjigjem se me vazhdu deri në një shkresë tjetër”, ka thënë Kerolli. 
Dëshmitari ka thënë se beson se i akuzuari Krasniqi ishte në dijeni për ndalesën, meqë ka marrë emailet ku flitej për njoftimin e ZRRE-së. Sipas Kerollit, blerja e energjisë nga ndërmarrja sllovene HSE u ndal vetëm pasi KEK-u u gjobit me 3.2 milionë euro nga ZRRE-ja për tregim të rrymës me kompani të palicencuar.

Prokuroria Speciale pretendon se me veprimet e tij, Nagip Krasniqi i ka shkaktuar dëm KEK-ut në vlerën e gjobës prej 3.2 milionë eurosh si dhe mbi gjysmë milioni në emër të tatimeve, ngaqë HSE-ja, si kompani e palicencuar, nuk ka paguar Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

E i akuzuari Nagip Krasniqi tek ka bërë vërejtje për dëshminë e Kerollit, është shprehur se KEK-u e ka bërë importin, e jo HSE-ja dhe meqë tregtimi është bërë në kufi, atëherë TVSH-ja nuk ka si të zbatohet.
“Dëshmitari në disa raste tha që tregtimi i energjisë prej HSE-së është bërë në kufi dhe se ajo ka bërë eksport e jo import të energjisë. Importin e energjisë e ka bërë KEK-u. Biles, për më tepër, ka edhe raste të kompanive të tjera të cilat janë të licencuara në ZRRE, por në disa raste në ankande kanë tregtuar me degët e tyre në shtetet e tjera e edhe ato e kanë bërë dorëzimin e energjisë në kufi”, ka thënë Krasniqi.

Seanca e radhës për këtë rast është caktua për 25 nëntor.

Prokuroria Speciale pretendon se Krasniqi ia ka mundësuar kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” (HSE) që të tregtojë energji pa pasur licencë në Kosovë, duke i shkaktuar dëm arkës së shtetit. Si dëm llogaritet gjoba që Zyra e Rregullatorit për Energji ia shqiptoi KEK-ut dhe rreth 532 mijë euro humbje nga mospagesa e tatimeve prej kompanisë sllovene.

Sipas aktakuzës, Krasniqi me dashje e ka aprovuar blerjen dhe ka nënshkruar kontrata me kompaninë sllovene, ndonëse ka qenë në dijeni se tregtimi i energjisë nuk mund të bëhej me kompani të palicencuara nga ZRRE-ja. 
Ndaj Nagip Krasniqit ka edhe një aktakuzë tjetër për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në aktakuzën e re, përveç ish-kryeshefit të KEK-ut, janë të përfshirë edhe ish-shefi i prokurimit në këtë korporatë, Ymer Dragusha dhe avokati Isuf Zejna.

Prokuroria Speciale në aktakuzën e dytë pretendon se Krasniqi ka lidhur kontratë të dëmshme edhe me operatorin ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna LL.C”.

Në këtë kompani, sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, 30 për qind të aksioneve i mban avokati Isuf Zejna. Me kontratën “Riparim kapital emergjent të kaldajës, Blloku A5”, që sipas prokurorisë ishte e dëmshme, buxheti sipas organit të akuzës u dëmtua për 37 milionë euro.

Krasniqi dhe Zejna janë deklaruar të pafajshëm, kurse Dragusha ka lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë. Rastin e tij, trupi gjykues ka vendosur ta trajtojë në fund të procesit gjyqësor.