Arbëri

Mbahet seanca në rastin e parë të ish-kryeshefit të KEK-ut Krasniqi

Nagip Krasniqi

Foto: Driton Paçarada

Sot (e martë) është e planifikuar seanca në rastin ku Prokuroria Speciale e akuzon ish-kryeshefin e Koorporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqin, për keqpërdorim të detyrës zyrtare në favor të kompanisë sllovene “HSE”.

Në aktakuzën e ngritur në gusht të 2024-ës, Prokuroria Speciale pretendon se Krasniqi ia mundësoi kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” (HSE) që të tregtojë energji pa pasur licencë në Kosovë, duke i shkaktuar dëm shtetit prej rreth 3.2 milionë eurosh.

Aktakuza e ngarkon Krasniqin se pak ditë pasi që e ka marrë detyrën e kryeshefit të KEK-ut, ia ka mundësuar kompanisë “Holding Slovenske Elektrane” tregtimin e rrymës në Kosovë, në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe atë për Zyrën e Rregullatorit.

Sipas aktakuzës, Krasniqi me dashje e ka aprovuar blerjen dhe ka nënshkruar kontrata me kompaninë sllovene, ndonëse ka qenë në dijeni se tregtimi i energjisë nuk mund të bëhej me kompani të palicencuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Më 3 korrik 2025, para Gjykatës Themelore në Prishtinë, Krasniqi është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në nisje të gjykimit për aktakuzën e parë ndaj tij.

Ndaj Nagip Krasniqit ka edhe një aktakuzë tjetër për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në aktakuzën e re, përveç ish-kryeshefit të KEK-ut, janë të përfshirë edhe ish-shefi i prokurimit në këtë korporatë, Ymer Dragusha, dhe avokati, Isuf Zejna.