LAJMET E MBRËMJES

Prokuroria: Krasniqit iu tërhoq vërejtja të mos blejë rrymë nga HSE-ja

Në fjalën hyrëse për rastin ku akuzohet për korrupsion, ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, është deklaruar i pafajshëm. Sipas Prokurorisë, ZRRE-ja disa herë e ka këshilluar atë që të mos blejë rrymë nga kompania HSE, pasi ishte e palicencuar pranë rregullatorit. E mbrojtja ka thënë se pretendimet se Krasniqi i shkaktoi dëm buxhetit janë të pavërteta dhe se ZRRE-ja do të duhej të ishte në bankën e të akuzuarve

Nagip Krasniqi, ish-kryeshef i KEK-ut, është deklaruar i pafajshëm të enjten para Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në nisje të gjykimit për aktakuzën e parë ndaj tij. Prokuroria Speciale pretendon se Krasniqi ia mundësoi kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” (HSE) që të tregtojë energji pa pasur licencë në Kosovë, duke i shkaktuar dëm shtetit prej rreth 3.2 milionë eurosh. 

Si dëm llogaritet gjoba që Zyra e Rregullatorit për Energji ia shqiptoi KEK-ut dhe rreth 532 mijë euro humbje nga mospagesa e tatimeve prej kompanisë sllovene.

Prokurori special, Dren Paca, theksoi se si ZRRE-ja, ashtu edhe zyrtarët e KEK-ut e njoftuan Krasniqin se blerja e rrymës nga HSE-ja përbën shkelje të ligjit por, sipas tij, ai i shpërfilli këshillat dhe i mundësoi përfitim ndërmarrjes sllovene.

“Do të vërtetohet nga provat të cilat janë propozuar se këtë vepër e kishte kryer me dashje dhe me dijeni, për faktin se i njëjti ishte vënë në dijeni nga ZRRE-ja disa herë, po ashtu edhe vetë zyra ligjore e KEK-ut nga e cila kishte kërkuar interpretim nëse rekomandimi i ZRRE-së për ndërprerje të tregtimit ishte i duhur apo duhej respektuar, ose jo... I njëjti, megjithëse ky grup punues përgatiti një version të përgjigjes se do ta respektonin rekomandimin e ZRRE-së për ndërprerjen e tregtimit të energjisë elektrike, ishte përgjigjur personalisht me një përgjigje tjetër nga ajo që e kishte përgatitur grupi punues”, ka thënë prokurori Paca. 

E, mbrojtësi i Krasniqit, avokati Virtyt Ibrahimaga, ka thënë se në bankën e të akuzuarve do të duhej të ishte ZRRE-ja e jo Krasniqi që, sipas tij, ia kurseu shtetit 500.000 euro në muaj. 

Ai ka thënë se Traktati i Komunitetit të Energjisë ia lejon Kosovës të blejë energji nga kompanitë që nuk janë të licencuara në ZRRE dhe se tregtimi u bë me ankand të hapur e me çmimin më të volitshëm. 

Avokati Ibrahimaga është shprehur, po ashtu, se kompania HSE nuk ka borxhe në Kosovë dhe se dëmi i pretenduar prej 3.2 milionë eurosh është çështje kontesti në Gjykatën Komerciale.

“Mjetet të cilat edhe nëse vërtetohet nga kontesti gjyqësor se gjoba ka qenë e justifikuar, këto mjete do të përfundojnë në buxhet të shtetit, i cili është aksionar i KEK-ut. Domethënë, dëmi është zero në secilën pjesë. Kundër këtij vendimi, KEK-u ka parashtruar padi në Gjykatën Komerciale. Gjykata Komerciale nuk ka vendosur ende lidhur me ankesën. Prokuroria ende pa e pritur epilogun e kontestit administrativ dhe pa vendim përfundimtar në mes të KEK-ut dhe ZRRE-së për ligjshmërinë e gjobës, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit z. Krasniqi”, është shprehur Ibrahimaga. 

Aktakuza e ngarkon Krasniqin se pak ditë pasi që e ka marrë detyrën e kryeshefit të KEK-ut, ia ka mundësuar kompanisë “Holding Slovenske Elektrane” tregtimin e rrymës në Kosovë, në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe atë për Zyrën e Rregullatorit.

Sipas aktakuzës, Krasniqi me dashje e ka aprovuar blerjen dhe ka nënshkruar kontrata me kompaninë sllovene, ndonëse ka qenë në dijeni se tregtimi i energjisë nuk mund të bëhej me kompani të palicencuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE). 

Në seancë nuk janë paraqitur si dëshmitarë kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu dhe shefi i Departamentit të Tregut për Energji në këtë institucion, Skender Muqolli. Sipas gjykatës, Posta nuk i ka gjetur adresat e tyre për t’ua dorëzuar ftesat. 

Ndaj Nagip Krasniqit ka edhe një aktakuzë tjetër për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në aktakuzën e re, përveç ish-kryeshefit të KEK-ut, janë të përfshirë edhe ish-shefi i prokurimit në këtë korporatë, Ymer Dragusha, dhe avokati, Isuf Zejna. 

“Të pandehurit akuzohen se gjatë periudhës kohore 2021 – 2023, me veprimet e tyre të kundërligjshme, i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës rreth 37 milionë euro duke i kryer veprat penale: Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar, Zbulimi i fshehtësisë zyrtare dhe Ndihmë në Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale. 

Në procesverbal të seancës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Nagip Krasniqit, në prill të vitit të kaluar, prokuroria pretendoi se Krasniqi ka urdhëruar me shkrim shefin e prokurimit, Ymer Dragusha, që të nënshkruajë kontratë të dëmshme për “Riparim kapital emergjent të kaldajës, Blloku A5”. 

Organi i akuzës pretendon, po ashtu, se Krasniqi ka lidhur kontratë të dëmshme edhe me operatorin ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna LL.C”. Në këtë kompani, sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, 30 për qind të aksioneve i mban avokati Isuf Zejna. 

I akuzuari i ka quajtur aktakuzat e Prokurorisë Speciale si “gjueti shtrigash” ndaj tij, meqë, siç ka thënë, ai e ka ndalur zhvatjen e KEK-ut.