Arbëri

Kerolli: Më udhëzuan ta vazhdojmë tregtinë e energjisë edhe pse e dinin se kompania ishte e palicencuar

kerolli

Foto: Driton Paçarada

Dëshmitari Hasan Kerolli ka thënë se ka qenë i njoftuar se ZRRE nuk lejon tregtimin e energjisë me kompanitë e palicencuara në Kosovë apo në Shqipëri në vitin 2022. Ai ka treguar se Zyra për tarifa dhe çështje rregullative iu ka drejtuar ZRRE-së lidhur me atë se me cilat kompani lejohet tregtimi i energjisë dhe përgjigjen e ka marrë më pas. 

"Drejtori i zyrës për tarifa dhe çështjet rregullative iu ka drejtuar ZRRE se me cilat kompani mund të tregtojmë...pastaj ka ardhë njoftimi që mund të tregtojmë energji vetëm me kompanitë që janë të licencuara në Kosovë dhe në Shqipëri pasi që vetëm me Shqipërinë kemi memorandum bashkëpunimi".

Kerolli, ekspert i lartë për analiza të tregut dhe tregtim të energjisë në KEK, ka thënë se eprorët e tij i kanë kërkuar të vazhdojë tregtimi me “Holding Slovenske Elektrane”, deri kur KEK-u ishte gjobitur për tregtim të rrymës me kompaninë që s'ishte e licencuar në Kosovë. 

"Kam kërkuar se qysh me vepru pas vendimit të ZRRE-së që mos me tregtu energji...Pastaj kam marrë përgjigje nga z. Edmond Nulleshi pasi atë kohë ishte duke e zëvendësuar drejtorin - Luigj Imerin. Në këtë rast më ka udhëzuar që ta vazhdojmë tregtinë e energjisë deri në një njoftim tjetër...Deri pas 1 viti kur ka ardhë gjoba prej ZRRE-së dhe pastaj drejtori Luigji ka vendosur që ta ndërpresë tregtimin e energjisë", tha Kerolli. 

Dëshmitari Kerolli tha po ashtu se beson se i akuzuari Nagip Krasniqi ishte në dijeni për këto komunikime, meqë i merrte emailet. 

"Me dije po ka qenë i përfshirë në komunikimin me emaila ...Besoj që ka qenë i njoftuar", u shpreh Kerolli. 

Dëshmitari tha po ashtu se me sa e di, kompania sllovene HSE ishte e vetmja kompani pa licencë me të cilën KEK-u tregtonte energji pasi e morën njoftimin nga ZRRE-ja. I pyetur nga avokati i Krasniqit, Virtyt Ibrahimaga, se a duhet paguar Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në rastin kur rryma blihet në kufi, dëshmitari tha se TVSH-ja në raste të atilla nuk paguhet.
 

Lexo përditësimet tjera
Nis dëshminë eksperti në rastin “KEK 1”

Rasti për korrupsion kundër Nagip Krasniqit, dëshmon eksperti

Ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, është paraqitur para Gjykatës Themelore në Prishtinë për...