LAJMET E MBRËMJES

Deputetët diskutojnë mundësinë e ndalimit të TikTokut në Kosovë

Diskutimet për ndalimin ose kufizimin e përdorimit të platformës TikTok kanë marrë vëmendje edhe në Komisionin për Çështje të Sigurisë në Kosovë. Ligjvënësit kanë ngritur shqetësime lidhur me rreziqet e privatësisë dhe ndikimin e platformës te fëmijët, përfshirë vetëlëndimet nga sfidat virale

Ndalimi i përdorimit të platformës TikTok në Kosovë është diskutuar të mërkurën nga ligjvënësit në mbledhjen e Komisionit për Çështje të Sigurisë. 

Në këtë mbledhje, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ngriti si çështje mundësinë e shtrëngimit të kritereve për hapje të llogarive në TikTok.

“Ka vende të ndryshme evropiane ku i kërkohet letërnjoftimi personit në fjalë kur ta hapë llogarinë dhe kjo e bën shumë më transparent dhe eviton mundësinë e hapjes së llogarive të fëmijëve, po flas për ata nën moshën 16-vjeçare, kështu që kish qenë mirë me shpjeguar edhe për neve tash si anëtarë të këtij bordi nëse na mundëson me qenë shumë më striktë hapja e llogarive, sidomos të miturit”, ka thënë Basha.

TikToku është një hap larg ndalimit të përdorimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi javën e kaluar kjo platformë humbi betejën ligjore në Gjykatën e Apelit.

SHBA-ja thirret në rrezikun se Kina mund të ketë qasje në të dhëna dhe përmes tyre të ushtrojë ndikim politik.

E deputeti i Partisë Demokratike, Hisen Berisha, tha se Kosova duhet ta trajtojë seriozisht rrezikun e paralajmëruar nga SHBA-ja.

“Në qoftë se SHBA-ja ndihet e rrezikuar, atëherë Kosova e vogël nuk duhet të jetë vetëm e rrezikuar, por e determinon edhe jetën e përgjithshme. Mendoj se këtu duhet të mendojmë për përdorimin ose ndalimin e tij, duhet të mendojmë si shtete në këtë formë, sa jemi ne të pajisura sot për sot si Kosovë që të mbrohemi nga këto platforma teknologjike” ,ka deklaruar Berisha.

Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva, u shpreh se për këtë duhet të vendosë ekzekutivi.

“Problemi më i madh apo krucial e bazik është mungesa e domenit të Kosovës, do të thotë domen zyrtar, sepse kemi shumë përdorues të Kosovës, por që ofruesi i shërbimeve është jashtë territorit të Kosovës, atëherë Agjencia nuk e ka kompetencën as me mujt me kontrollu”, ka deklaruar Sogojeva.
Ndalimi i kësaj platforme kineze po shqyrtohet edhe në Shqipëri.

Përveç rrezikut të cenimit të të dhënave personale, përdorimi i TikTokut paraqet rrezik edhe për shëndetin mendor e fizik të fëmijëve. Dhjetëra nxënës janë vetëlënduar këtë vit nga disa sfida të shfaqura në Tiktok.