LAJMET E MBRËMJES

Deputetë të LS-së ftohen për intervistim në Prokurori, dyshohen për veprime kundërkushtetuese

Në Prokurorinë Speciale kanë thënë se kryetari i Listës Serbe dhe njëherësh deputeti i Kuvendit, Zlatan Elek, si dhe deputeti tjetër i kësaj partie, Slavko Simiq, janë ftuar për intervistim lidhur me dyshimet për tri vepra penale, përfshirë atë për bashkim në veprimtari antikushtetuese. Deputeti, Igor Simiq, i cili ka thënë se edhe ai është ftuar për intervistim, ka theksuar se do t’i përgjigjen thirrjes së prokurorisë

Deputetë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë serbe, Lista Serbe (LS), pritet që gjatë muajit qershor të intervistohen nga Prokuroria Speciale lidhur me ngjarjet e dhjetorit të vitit 2022, kur protestues serbë patën bllokuar rrugët në veri që shpijnë drejt pikave kufitare me Serbinë.

Në Prokurorinë Speciale kanë konfirmuar se deputetët dhe anëtarët e kryesisë së Listës Serbe, kryetari Zlatan Elek, si dhe anëtari i kryesisë së kësaj partie, Slavko Simiq, dyshohen për tri vepra penale, dy prej të cilave janë vepra penale kundërkushtetuese. 

“Të njëjtit janë ftuar në kuadër të hetimeve që PSRK-ja është duke i zhvilluar në rastin e barrikadave në vitin 2022, për veprat penale: pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, thirrje për rezistencë dhe bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese”, ka thënë Arbnora Luta, zëdhënëse në Prokurorinë Speciale.

Ajo, në një përgjigje për KOHËN, e ka konfirmuar edhe deklarimin e deputetit tjetër të LS-së, Igor Simiq, i cili ka thënë se data për intervistim është shtyrë.  

“Z. Slavko Simiq dhe z. Zlatan Elek janë ftuar për intervistim në rastin penal, njësoj sikurse çdo i pandehur tjetër, në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u ndërmarrë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, bazuar në Kodin e Procedurës Penale. PSRK-ja zbaton në përpikëri procedurat ligjore në përputhje me Kushtetutën, dhe në mënyrë të barabartë për secilin qytetar të Republikës së Kosovës. Intervistimi është shtyrë për një datë tjetër brenda këtij muaji dhe për veprimet e tjera do të njoftoheni në kohë”, ka theksuar Luta.

Deputeti i LS-së, Igor Simiq, ka thënë të mërkurën se ata do t’i përgjigjet thirrjes për të dëshmuar. Ai ka shtuar se ata vazhdimisht kanë bërë thirrje për paqe, teksa ka theksuar që para shumë vjetësh edhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka bërë veprime të dhunshme.

“Për 10 qershor ishte e caktuar, por tash kemi marrë informatë se do të ndryshohet dhe do të na thërrasin për një ditë tjetër. Presim që të na thërrasin. Është fakt që gjithmonë kemi bërë thirrje për paqe. Do t'i përgjigjemi ftesës, jo sepse besojmë se është proces i drejtë, por se e dimë që gjithmonë kemi bërë thirrje për paqe dhe nuk kemi bërë asgjë të kundërligjshme. E ata që organizuan protesta të dhunshme këtu në Prishtinë dhe që dogjën veturat ndërkombëtare, janë sot në Qeveri”, është shprehur ai.

Pas vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të mërkurën, Igor Simiq ka shkruar në Facebook se edhe vetë është ftuar për t’u intervistuar, ashtu si deputetët e tjerë. E deputeti Slavko Simiq nuk ka dashur të deklarohet lidhur me këtë çështje. 

Gjatë vitit 2022, deputetë dhe kryetarë të komunave që kanë qenë pjesë e Listës Serbe, parti kjo më e madhe që i përfaqëson serbët në Kosovë dhe që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në shenjë proteste, pasi nuk e kanë pranuar zbatimin e marrëveshjes për konvertimin e targave nga ato të lëshuara nga Serbia me akronimet e qyteteve të Kosovës në ato të Republikës së Kosovës. 

Në fund të 2022-tës, protestues serbë të prirë nga Lista Serbe kanë bllokuar rrugët që shpijnë drejt pikave kufitare në veri. Asokohe ata e kanë kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar qarkullimin e automjeteve me targa të vjetra, si dhe e kanë kërkuar lirimin e Dejan Pantiqit, ish-polic i Kosovës, i cili tash është i akuzuar për sulm terrorist.