Prokuroria Speciale ka njoftuar se intervistimi i deputetëve të Listës Serbe, Zlatan Elek dhe Slavko Simiq, të cilët dyshohen për veprimtari kundërkushtetuese, do të shtyhet për një datë tjetër.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Arbnora Luta, ka thënë se intervistimi është shtyrë për një datë tjetër brenda këtij muaji.
“Z.Slavko Simiq dhe z. Zlatan Elek, janë ftuar për intervistim në rastin penal, njësoj sikurse çdo i pandehur tjetër, në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u ndërmarrë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, bazuar në Kodin e Procedurës Penale. PSRK-ja zbaton në përpikëri procedurat ligjore në përputhje me Kushtetutën dhe në mënyrë të barabartë për secilin qytetarë të Republikës së Kosovës. Intervistimi është shtyrë për një datë tjetër brenda këtij muaji dhe për veprimet tjera, do të njoftoheni në kohë”, ka thënën ajo.
Elek dhe Simiq dyshohen për veprat penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”,“Thirrje për rezistencë” dhe “Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese”, lidhur me rastin e barrikadave në vitin 2022 në veri.
Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, para nisjes së seancës së sotme për konstituimin e Kuvendit, ka thënë se do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për marrje në pyetje.
Derisa ka thënë se do t’i përgjigjen ftesës, Simiqi ka akuzuar qeveritarët për protesta të dhunshme vite më parë, duke përmendur djegien e veturave të ndërkombëtarëve.
Vetë Igor Simiq, përmes një postimi në Facebook ka thënë se ka marrë ftesë për intervistim.