Kuvendi e ka shtyrë për të premten vazhdimin e seancës konstituive, pas mosdakordimit për të votuar për nënkryetarët. Pas kthimit nga pauza, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu u përplas me deputetin e Listës Serbe, Igor Simiq, duke i kërkuar ta tërheqë fjalimin e propozimit paraprak për nënkryetar. Pas kësaj, Haxhiu tha se nuk ka dakordim për mënyrën e votimit për nënkryetarë të Kuvendit dhe si rrjedhojë “duhet dakordim”.
Haxhiu e lexoi deklaratën e Simiqit që u shpreh se propozimin për nënkryetar e bën në emër të “popullit serb”.

Ajo tha se kjo deklaratë bie ndesh me Kushtetutën dhe i kërkoi ta tërheqë fjalimin, por Simiq refuzoi. Ai në përgjigje tha se “e kupton lojën”.
Sipas tij, propozimi është dërguar me shkrim më 6 gusht.
Haxhiu ia ndërpreu fjalën dhe pasoi një tjetër përplasje me kërkesën për tërheqje të fjalimit të Simiqit, e që ai sërish refuzoi.
Edhe
Kuvendi vazhdon seancën konstituive të shtunën
Pas kësaj, Haxhiu tha se edhe në takim me anëtarë të partive të tjera “nuk pati dakordim për mënyrën e votimit për nënkryetarë të Kuvendit”.
“Nga ai takim siç e kuptova ishte e qartë se as propozimi i subjektit politik PDK që ishte Vlora Citaku, e as propozimi i LDK-së, që ishte edhe Kujtim Shala, sikurse dhe zonja Nagavci ngriti shqetësimet e njëjta me deklaratat e Simiqit, që janë jokushtetuese është e qartë që nuk ka vota për propozimet e tyre për t’u zgjedhur nënkryetarë të Kuvendit. Prandaj konsideroj se duhet dakordim dhe si rrjedhojë seanca i vazhdon punimet të premten në orën 11”, ka thënë Haxhiu.