Intervistimi i kryetarit të Listës Serbe dhe deputetit të Kuvendit të Kosovës, Zlatan Elek, i planifikuar për datën 18 qershor, është shtyrë për një afat tjetër pas kërkesës së mbrojtjes.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Arbnora Luta, e cila ka bërë të ditur se shtyrja është bërë “për arsye shëndetësore të avokatit të Elekut”.
Zlatan Elek është ftuar për t’u intervistuar në kuadër të hetimeve që po zhvillohen lidhur me barrikadat e vendosura në pjesën veriore të Kosovës në fund të vitit 2022. Ai po hetohet për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, thirrje për rezistencë dhe bashkim për veprimtari kundërkushtetuese.
Përveç Elekut, ftesë për intervistim kanë marrë edhe figura të tjera nga Lista Serbe, përfshirë deputetin Igor Simiq dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Në dhjetor të vitit 2022, protestues serbë të udhëhequr nga Lista Serbe kishin bllokuar rrugët në veri të vendit, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit me targa ilegale serbe. Një tjetër kërkesë e protestuesve kishte qenë lirimi i ish-policit Dejan Pantiq, i cili tashmë është i akuzuar për sulm terrorist.