Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, ka njoftuar se kryetari i kësaj partie, Zlatan Elek dhe deputeti Slavko Simiq, do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për t’u marrë në pyetje si të pandehur për sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës dhe vepra të tjera penale që lidhen me protestat e dhjetorit të vitit 2022.
Derisa ka thënë se do t’i përgjigjen ftesës, Simiqi ka akuzuar qeveritarët për protesta të dhunshme vite më parë, duke përmendur djegien e veturave të ndërkombëtarëve.
“Do t'i përgjigjemi ftesës, jo sepse besojmë se është proces i drejtë por se e dimë që gjithmonë kemi bërë thirrje për paqe dhe nuk kemi bërë asgjë të kundërligjshme. E ata që organizuan protesta të dhunshme këtu në Prishtinë dhe që dogjën veturat ndërkombëtare, ata janë sot në Qeveri”, ka thënë ai.
Simiq ditë më parë ka thënë se këto thirrje janë presion politik mbi Listën Serbe, si dhe lidhen me dështimin e partisë së Albin Kurtit për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.