Prokuroria Speciale ka kërkuar urdhërarrest ndaj ish-kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiqit. Sipas prokurorisë që po e hetonte atë si të dyshuar në rastin e barrikadave të 2022-ës, ai fillimisht është arsyetuar se s’mund të shkojë në prokuori për shkaqe shëndetësore. Prokuroria ka kërkuar urdhërarrest edhe ndaj 11 personave të tjerë.
Prokuroria Speciale i ka parashtruar kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë për urdhër arrest ndaj Goran Rakiqit, ish-kryetarit të Listës Serbe, për rastin e barrikadave të 2022-s në veri.
Për këtë rast, ashtu siç pati paralajmëruar deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, përfaqësuesit e Listës Serbe iu përgjigjen thirrjes për intervistim.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka konfirmuar se tashmë janë intervistuar kryetari aktual i LS-së, Zlatan Eleku si dhe deputetët Slavko dhe Igor Simiq.
Por, Goran Rakiqi, tash deputet në Kuvendin e Serbisë nga radhët e SNS-së, nuk u është përgjigjur ftesave për intervsitim
“Prokuroria Speciale është duke e hetuar rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat në pjesën veriore të Republikës së Kosovës. Në kuadër të zhvillimit të këtyre hetimeve, PSRK i ka ndërmarrë dhe është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, përfshirë intervistimin e të pandehurve në këtë rast penal. Tashmë ka përfunduar intervistimi edhe i të pandehurve S.S, I.S., dhe Z.E. Ndërsa, sa i përket intervistimit të G.R., i njëjti është ftuar tri herë, por nuk është paraqitur, fillimisht duke arsyetuar mungesën me probleme shëndetësore, ndërsa për dy ftesat e tjera nuk ka dhënë ndonjë arsyetim”, ka thënë Luta.
Por, urdhërarrest, siç ka bërë ditur prokuroria, është kërkuar edhe ndaj 11 personave të tjerëve.
“Andaj, me qëllim të sigurimit të prezencës së G.R, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për lëshimin e urdhërarrestit ndaj tij. Siç jeni në dijeni në kuadër të hetimeve që PSRK, është duke i zhvilluar në rastin e barrikadave në vitin 2022, për veprat penale: pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, thirrje për rezistencë dhe bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, ka kërkuar urdhër-arrest edhe ndaj 11 personave të tjerë”, ka shtuar Luta.
Goran Rakiqi në kohën e barrikadave ishte deputet dhe kryetar i Listës Serbe.
Në të njëjtën kohë ai ishte zyrtarisht drejtor edhe në ndërmarrjen publike të mbeturinave “JKP Standard”.
Kamionët e mbeturinave të kësaj ndërmarrjeje ishin disa nga automjetet që përdoreshin për ta bllokuar lëvizjen.