Udhëheqësi në terren i grupit që kreu sulmin terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq, është ndër personat për të cilët Prokuroria Speciale ka pezulluar hetimin për rastin e barrikadave të 2022-ës në veri të vendit. E mes 6 personave të akuzuar është edhe njëri nga të dënuarit për sulmit terrorist në Banjskë. Derisa më herët dyshoheshin, në aktakuzë nuk janë ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, kryetari aktual Zlatan Elek dhe anëtarët e kryesisë së kësaj partie, Slavko dhe Igor Simiq
Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiqi, i cili udhëhoqi sulmin terrorist në Banjskë, është ndër të dyshuarit për të cilët përkohësisht është pezulluar hetimi për vendosjen e barrikadave në veriun e banuar kryesisht me serbë, në fund të 2022-ës.
Prokuroria Speciale ka njoftuar për ngritje të aktakuzës për gjashtë persona, ndërsa për 11 të tjerë, ku KOHA mëson se bën pjesë edhe Radoiçiqi, hetimi është pezulluar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ndaj të pandehurve M.R., A.S., A.F., A.J., R.S., S.A., D.V., S.P., V.R., M.R., dhe M.R., janë pezulluar hetimet, pasi ata deri më tani janë të paarritshëm për organet e ndjekjes”, thuhet në njoftim.
“Betimi për Drejtësi” ka raportuar se në aktakuzë thuhet se “Milan Radojçiqi ka planifikuar strategjinë e bllokimit, koordinimin, logjistikën, monitorimin e Policisë së Kosovës dhe vendosjen e qytetarëve në pika të ndryshme, duke krijuar barrikada në rrugë dhe duke hapur gropa apo pozicione ushtarake në shumë pjesë strategjike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës”.
E në bazë të njoftimit të prokurorisë gjashtë të pandehurit akuzohen për “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës se Kosovës” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.
“Të pandehurit D.M., D.D., M.R., N.J., N.O. dhe S.V., akuzohen se, nga 10.12.2022 deri më 29.12.2022, në komunat veriore të Republikës së Kosovës, duke vepruar në bashkëkryerje dhe përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, kanë penguar institucionet e Republikës së Kosovës në vendosjen e rendit kushtetues, ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyrave zyrtare në këto komuna”, ka bërë të ditur Prokuroria. “Sipas aktakuzës, ata kanë bllokuar rrugët kryesore me mjete të rënda, përfshirë kamionë të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera. Po ashtu, nga veprimet e tyre rezulton se, në rast të ndërhyrjes së Policisë së Kosovës për largimin e barrikadave dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes, pjesëtarët e grupit kanë qenë të gatshëm t’i sulmonin zyrtarët policorë me mjetet që kishin në dispozicion”.
Siç ka raportuar Betimi për Drejtësi, në aktakuzë është edhe Dushan Maksimoviq, tashmë i dënuar në shkallë të parë për kryerjen e sulmit terrorist në Banjskë.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar 30-vjecarin nga Bansjka me burgim me 30 vjet burgim, kurse, Blagoje Spasojeviqin e Vladimir Toliqin i dënoi me burgim të përjetshëm.
Të dyshuar për vepra penale kundër rendit kushtetues, pikërisht për rastin e barrikadave kanë qenë edhe ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, kryetari aktual i këtij subjekti politik, Zlatan Elek, që atëkohë ishte drejtor i spitalit në veri e edhe Slavko e Igor Simiq, deputetë të zgjedhur për disa mandate në Kuvendin e Kosovës.
E ndonëse Prokuroria Speciale e pati konfirmuar se ata u intervistuan në cilësinë e të dyshuarve, hetimi është përmbyllur pa aktakuzë ndaj tyre.
Në fund të 2022-ës, serbët në veri u dorëhoqën nga institucionet, si dhe protestuan kundër vendimit të Qeverisë që ndaloi përdorimin e targave të Serbisë me inicialet e qyteteve të Kosovës, si dhe për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq, tashmë i dënuar në shkallë të parë për kryerje të sulmit terrorist.