Arbëri

Dy vjet nga sulmi në Banjskë, terroristët ende të lirë

Sulmi në Banjskë

Foto: Arkiv

Janë bërë dy vjet që prej se ndodhi sulmi terrorist në Banjskë, në të cilin u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. E edhe pse kanë kaluar dy vjet dhe përgjegjësinë e ka marrë Milan Radoiçiq, ai dhe dhjetëra të dyshuar janë ende të lirë në Serbi.

Grupi i organizuar pati vrarë Bunjakun në një pritë në veri, ndërsa gjatë ikjes ishte mobilizuar në fshatin Banjskë. Pamjet nga droni kanë kapur fytyrat e dhjetëra të dyshuarve, ndërsa ato kanë shfaqur edhe momentet e ikjes së tyre.

Policia e Kosovës pati kapur arsenal armësh pas sulmit për të cilin Kosova e akuzon direkt shtetin e Serbisë.

Nga grupi terrorist tre persona të akuzuar ndodhen në paraburgim. E më 11 shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Radoiçiqit dhe mbi 40 të tjerëve. Por që të gjithë ndodhen në Serbi.

Madje ish-nënkryetari i Listës Serbe ishte lënë i lirë pasi ishte marrë në pyetje në Beograd në tetor të 2023-s.

Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë kanë tentuar ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës e t’ia bashkojnë R. së Serbisë, me ç’rast, si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.

Për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, dhe të akuzuar të tjerë ka fletarrestim ndërkombëtar, pasi janë në arrati.

Lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 të pandehurve - Milan Radoiçiq, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Uglesha Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Shmigiq, Veljko Gjorgjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Kërstoviq, Urosh Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Axhiq, Milosh Milenkoviq, Gjorgje Baloviq, Danijel Gjukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milosh Kragoviq, Milan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, Radule Steviqi dhe kompania e Steviqit RAD DOO.  Veprat penale në aktakuzë: “Kryerja e veprës terroriste” “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” “Shpërlarja e parave” “Vrasje e rëndë”.

Aktakuza i ngarkon ata me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës. Në aktakuzë thuhet se ky grup, nëpërmjet përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar që “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”. Si lider i këtij grupi është identifikuar Radoiçiqi, për të cilin thuhet se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale. Radoiçiqi gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe të Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnjë-Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Në këtë dyvjetor, Policia e Kosovës ka organizuar aktivitete për shënimin e dyvjetorit të rënies së Afrim Bunjaku. Udhëheqësit shtetërorë do të bëjnë homazhe te varri i tij e më pas do të ketë edhe akademi përkujtimore. 

Italia kërkon që autorët e sulmit në Banjskë të përgjigjen për krimet e tyre

1 muaj më parë / 24 sht 2025 17:35
banjska

Foto: Arkiv

Ambasada e Italisë në Kosovë ka kërkuar që autorët e sulmit në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjkau, të përgjigjen për krimet e tyre.

Në një postim të Ambasadës në Facebook theksohet se drejtësia duhet të vihet në vend dhe autorët duhet të përgjigjen për krimet e tyre.

"Kanë kaluar dy vjet që nga sulmi kriminal në Banjskë dhe vrasja tragjike e oficerit të policisë Afrim Bunjaku. Drejtësia duhet të vihet në vend, autorët duhet të përgjigjen për krimet e tyre", thuhet në postimin.

EULEX-it rithekson thirrjet e BE-së për llogaridhënie për sulmin në Banjskë

1 muaj më parë / 24 sht 2025 17:06
EULEX-Emily Rakhorst

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka ritheksuar thirrjet e BE-së për llogaridhënien e përgjegjësve të kryerjes së sulmit në Banjskë dy vjet më parë.

Zëvendësshefja e Misionit EULEX, Emily Rakhorst, ka marrë pjesë në ceremonisë solemne në përkujtim të rreshterit Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë sulmit. 

Në një postim në Facebook të faqes së EULEX-it, thuhet se ata theksojnë thirrjet e BE-së për llogaridhënien e përgjegjësve të kryerjes së sulmit të Banjskës.

“Sot, zëvendësshefja e misionit të EULEX-it, Emily Rakhorst, pati nderin t'i bashkohet komemoracionit solemn për nder të rreshterit të rënë të Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, i vrarë në krye të detyrës dy vjet më parë. Ne i theksojmë thirrjet e BE-së për llogaridhënien e përgjegjësve të kryerjes së këtij sulmi!”, thuhet në postim.

Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjet që kryesit e sulmit terrorist në Banjskë të nxirren para drejtësisë, duke shprehur shqetësimin pse ata, në vend se të jenë para gjyqit, po marrin pjesë në protesta në Serbi. 

Ndërkohë, nga BE-ka është paralajmëruar se përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, personalisht në New York do të kërkojë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të ndërmerren masa për nxjerrjen para drejtësisë 

Dy vjet pas Banjskës, Kosova e konsideron të pamjaftueshëm presionin ndërkombëtar ndaj Serbisë

1 muaj më parë / 24 sht 2025 17:15
Banjska

Sulmi në Banjskë është më i madhi që nga paslufta nga Serbia drejt Kosovës, ka theksuar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së ai ka thënë se Serbisë nuk po i bëhet presion i mjaftueshëm për dorëzimin e autorit kryesor për këtë sulm, Milan Radoiçiq, nga bashkësia ndërkombëtare. 

Sveçla konsideron se ndërkombëtarët e shohin Serbinë si faktor destabilizues në Ballkan, çka sipas tij ka ndikuar edhe që të mos i bëjnë presion të madh. Megjithatë, ai këmbëngulë që presioni ndërkombëtar ndaj presidentit serb dhe qeverisë serbe duhet të jetë më i vendosur. 

“Unë mendoj se ka pas një sensibilitet më të madh në raport me stabilitetin në rajon duke e menduar se mos t`i bëjnë presion tepër të madh Serbisë e cila është faktor destabiliteti në Ballkan. Serbia është shteti i cili realisht kontribuon në destabilizim të Bosnjës dhe shteti i cili mundohet dhe interferon në politikat e brendshme të Malit të Zi, është shteti i cili në vazhdimësi atakon qoftë në aspektin diplomatik por edhe përmes minimit të vet sovranitetit të institucioneve të Kosovës brenda për brenda Republikës së Kosovës tenton të ndalë progresin e Kosovës dhe potencialisht të destabilizoj Republikën tonë”, ka thënë ai. 

Sipas Sveçlës, dy vjet pas sulmit situata në Banjskë dhe në përgjithësi në veri është më stabile. 

“Nuk ka një qëndrim të vendosur që jo vetëm të dënohet se të jemi korrekt ka pasur dënim të sulmit terrorist nga vendet mike, aleate. Por, duhet të ketë një vendosmëri në raport me Serbinë që Serbia të detyrohet që të dorëzoj Radojçiqin dhe gjithë terroristët tjerë të cilët kanë marrë pjesë në sulmin e Banjskës dhe kjo patjetër duhet të bëhet duke llogaritur edhe pasojat potenciale  për vet Serbinë. Këtë nuk po e shohim. Dhe ne kërkojmë që kjo edhe të bëhet. Nuk mund të ketë një pikëvështrim normal ndaj Serbisë me politika të këtilla ku ata përmes veprimeve terroriste cenojnë vendet përreth, cenojnë edhe Republikën e Kosovës”, u shpreh ministri në detyrë i Brendshëm.

 

Prattipati nderon Bunjakun

1 muaj më parë / 24 sht 2025 16:32
Anu Prattipati

E ngarkuara me punë Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Anu Prattipati, ka nderuar policin e Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator gjatë sulmit terrorist në Banjskë. 

Për këtë Ambasada e SHBA-së ka njoftuar në një postim në Facebook, ku janë bashkëngjitur fotografi nga akademia përkujtimore që është organizuar në nderim të rreshterit Bunjaku.

“E ngarkuara me punë Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Anu Prattipati iu bashkua udhëheqësve të institucioneve të Kosovës dhe kolegëve diplomatikë për të nderuar oficerin e Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës dy vjet më parë gjatë sulmit në Banjskë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Franca kërkon që autorët e sulmit në Banjskë të sillen para drejtësisë

1 muaj më parë / 24 sht 2025 15:30
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot,

Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka kërkuar që përgjegjësit për sulmin në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, të sillen para drejtësisë.

Në dyvjetorin e rënies së Bunjakut, Guerot u shpreh se mendimet janë me familjen e tij.

“Dy vjet pas sulmit kriminal në Banjskë, i cili i mori jetën e rreshterit Afrim Bunjaku, mendimet tona janë me familjen e tij. Franca vazhdon të bëjë thirrje që autorët e këtij sulmi vdekjeprurës të sillen para drejtësisë”, ka shkruar ai në “X”.

Osmani: 24 shtatori na kujton se liria kërkon sakrificë, por edhe se Kosova është e pathyeshme

1 muaj më parë / 24 sht 2025 14:09
Presidentja Vjosa Osmani

Photo: Driton Paçarada

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se 24 shtatori na kujton se liria kërkon sakrificë, por edhe se Kosova është e pathyeshme.

Sot bëhen dy vjet nga rënia e policit Afrim Bunjaku pas sulmit në Banjskë të Zveçanit nga terroristët serbë.

“Afrim Bunjaku ra hero në Banjskë, duke mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e Kosovës. 24 shtatori na kujton se liria kërkon sakrificë, por edhe se Kosova është e pathyeshme. Asnjë sulm terrorist e agresion nga Serbia nuk mund ta ndalë të vërtetën. Kosova shtet sovran, i lirë e i pandashëm do të mbetet realitet i pakthyeshëm e i përjetshëm. Lavdi e përjetshme heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku!”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Kurti: Ndërkombëtarët mos ta konsiderojnë Serbinë shtet normal

1 muaj më parë / 24 sht 2025 11:55
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë Albin Kurti pas homazheve që bëri te varri i rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në përvjetorin e dytë të vrasjes së tij nga terroristët serbë në Banjskë të Zveçanit, vlerësoi lart heroizmin dhe përkushtimin e tij për ta mbrojtur vendin.

“Ka mbrojtur qytetarët pa dallim duke e mirëmbajtur rendin publik dhe sundimin e ligjit të gjithë. Të gjithë së bashku jemi pjesë e familjes Bunjaku, sepse Afrim Bunjaku i përket Republikës së Kosovës. E theksoj guximin e dyfishtë, ai ia mësy i pari drejt bllokadës në Banjskë së Zveçanit, këtë e bëri si policë me përvojë, ishte polic 22 vjet prej të cilëve 16 vjet rreshter. Tani e ka gradën heroi i Kosovës ku nuk mund t’ia marrë askush. Dua ta theksoj aspektin e guximit ai nuk lejojë që policët tjerë që ishin më të ri t’ia mësyjnë bllokadës që ishte vendosur në rrugë nga kamionët nga grupi terrorist paramilitar të Serbisë të udhëhequr nga Radoiçiq. Nuk i la të rinjtë të vetësakrifikohen, por u vetëflijua”, ka thënë ai, transmeton EO.

Kurti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të mos e konsiderojnë Serbinë shtet normal përderisa nuk i dorëzon kriminelët që udhëhiqeshin nga Milan Radojçiq.

“I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të mos e konsiderojnë Serbinë shtet normal përderisa nuk i dorëzon kriminelët e Serbisë të organizuar dhe të udhëhequr nga Milan Radoiçiq dhe të financuar nga presidenti Aleksandër Vuçiq, aktakuza përfshinë 45 persona këta duhet të dorëzohen menjëherë shtetit të Kosovës”, theksoi Kurti.

Krasniqi: Sakrifica e Afrim Bunjakut është gdhendur në historinë tonë kombëtare

1 muaj më parë / 24 sht 2025 11:41
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përkujtuar heroin Afrim Bunjaku në dyvjetorin e rënies së tij.

Në një postim në Facebook ka shkruar se Bunjaku u vra nga terroristët serbë.

“Afrimi mbetet testament i guximit dhe përkushtimit për mbrojtjen e Republikës së Kosovës. Sakrifica e tij është e gdhendur në historinë tonë kombëtare dhe do të kujtohet përherë si shembull i nderit dhe i besës ndaj atdheut”, thuhet në postimin e  Krasniqit.

Ka shtuar se dy vjet pas këtij akti terrorist, drejtësia ende nuk është vendosur.

Sipas tij, kriminelët e strehuar e të mbajtur të paprekur në Serbi duhet të dorëzohen dhe të përgjigjen përpara ligjit, sepse ka shtuar se vetëm kështu nderohet sakrifica e Afrimit dhe sigurohet e ardhmja e Kosovës.

Abdixhiku: Sakrifica e Bunjakut mbetet kujtesë e gjallë për sfidat me të cilat përballet Kosova

1 muaj më parë / 24 sht 2025 11:14
Lumir Abdixhiku

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar Afrim Bunjakun në dyvjetorin e rënies së tij, duke thënë se sakrifica e policit mbetet kujtesë e gjallë për sfidat me të cilat përballet Kosova.

Sipas Abdixhikut, Bunjaku ishte njeri me vlera të mëdha që zgjodhi të qëndrojë deri në fund për parime e lirisë, drejtësisë dhe rendit demokratik.

Deklarimi i Abdixhikut:

“Sot, shënohen dy vite nga rënia në detyrë e policit të Republikës së Kosovës, heroit, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën duke mbrojtur sigurinë dhe sovranitetin e vendit tonë.

Afrim Bunjaku, u vra nga pjestarë të një grupi terrorist të sponzorizuar e komanduar nga Serbia, derisa po ushtronte punën, duke dëshmuar se shërbimi ndaj atdheut është mbi çdo gjë personale.

Por Afrim Bunjaku nuk ishte vetëm një polic në krye të detyrës. Ishte një njeri me vlera të mëdha, që zgjodhi të qëndrojë deri në fund për parimet e lirisë, drejtësisë dhe rendit demokratik.

Sakrifica e tij mbetet një kujtesë e gjallë për sfidat me të cilat përballet Kosova, por edhe për vendosmërinë tonë për të mos u dorëzuar përballë dhunës dhe përpjekjeve për destabilizim. Përgjegjësia për këtë akt kriminal i takon jo vetëm autorëve të drejtpërdrejtë, por edhe atyre që e ideuan dhe e nxitën, e të cilët duhet të mbahen përgjegjës para drejtësisë.

Afrim Bunjaku është mishërim i asaj ç’do të thotë t’i shërbesh shtetit me nder. Ai jeton në kujtimin tonë kolektiv si një nga heronjtë më të devotshëm të këtij vendi.

Nderim i përjetshëm për jetën dhe veprën e tij!”

Sindikata e Policisë: Sakrifica e Afrim Bunjakut, dëshmi e përkushtimit ndaj popullit

1 muaj më parë / 24 sht 2025 11:00
Afrim Bunjaku

Sindikata e Policisë së Kosovës e ka kujtuar rreshterin Afrim Bunjaku, në dy vjetorin e rënies së tij.

Në komunikatën e lëshuar nga sindikata thuhet se sakrifica e tij mbetet përjetësisht dëshmi e trimërisë së policëve të Kosovës.

“Ai ra në krye të detyrës, duke mbrojtur ligjin, sigurinë dhe jetën e qytetarëve tanë. Sakrifica e tij mbetet përjetësisht dëshmi e trimërisë dhe përkushtimit të policëve tanë ndaj vendit dhe popullit”, tha Sindikata përmes një reagimi në Facebook derisa shprehu ngushëllime familjes, kolegëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.

Në këtë dyvjetor, Policia e Kosovës ka organizuar aktivitete për shënimin e dyvjetorit të rënies së Afrim Bunjaku. Udhëheqësit shtetërorë do të bëjnë homazhe te varri i tij e më pas do të ketë edhe akademi përkujtimore. 

Homazhe te varri i heroit Afrim Bunjaku

1 muaj më parë / 24 sht 2025 10:48
Homazhe

Në dyvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, liderët institucionalë dhe partiakë kanë nderuar heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku.  

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kryekuvendari, Dimal Basha, nënkryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministrat në detyrë Xhelal Sveçla, Faton Peci e Hajrullah Çeku si dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha kanë vendosur kurora lulesh pranë varrit të heroit, Afrim Bunjaku në varrezat e fshatit Samadrexhë.  Ata e kanë vlerësuar lart veprën e tij, duke thënë se ai sakrifikoi jetën për Kosovën.

E edhe pse kanë kaluar dy vjet dhe përgjegjësinë për sulmin sulmi terrorist në Banjskë, e ka marrë Milan Radoiçiq, ai dhe dhjetëra të dyshuar janë ende të lirë në Serbi. E më 11 shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Radoiçiqit dhe mbi 40 të tjerëve. Nga grupi terrorist tre persona të akuzuar ndodhen në paraburgim. Për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, dhe të akuzuar të tjerë ka fletarrestim ndërkombëtar

Ambasada gjermane për rastin “Banjska”: E papranueshme pandëshkueshmëria e autorëve

1 muaj më parë / 24 sht 2025 10:26
Ambasada gjermane

Ambasada Gjermane në Kosovë e ka quajtur të papranueshme pandëshkueshmërinë e autorëve të Banjskës.

Në një postim në faqen e tyre zyrtare në Facebook, Ambasada ka thënë se janë bërë dy vjet nga sulmi i tmerrshëm në Banjskë megjithatë, Milan Radojçiq i cili e ka pranuar që ishte udhëheqës i këtij grupi, vazhdon të jetojë i lirë në Serbi.

“Dy vjet që nga vrasja e oficerit të Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe pavarësisht garancive të ndryshme se autorët do të mbahen përgjegjës, ende nuk është vënë drejtësi. Kjo pandëshkueshmëri e dukshme është e papranueshme”, ka shkruar Ambasada.

Tutje është theksuar se është e domosdoshme që llogaridhënia dhe drejtësia të zbatohen pa asnjë vonesë të mëtejshme.

Haradinaj: Respekt i përjetshëm për sakrificën e Afrim Bunjakut

1 muaj më parë / 24 sht 2025 09:14
Ramush Haradinaj te varri i Afrim Bunjakut

Kryetari i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur respektin e përjetshëm për sakrificën e rreshterit policor Afrim Bunjaku, që u vra në sulmin terrorist në Banjskë dy vjet më parë. 

“Sot kujtojmë trimërinë, vendosmërinë dhe sakrificën sublime të “Heroit të Kosovës”, Afrim Bunjaku, i cili ra heroikisht në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në përvjetorin e rënies, shpreh respektin e përjetshëm për sakrificën e Afrimit, që është një nder i përhershëm për Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj. Faleminderit për shërbimin ndaj atdheut!” – ka shkruar Haradinaj në Facebook. 
 

Britania i bën thirrje Serbisë që t’i sjellë sa më shpejt para drejtësisë autorët e Banjskës

1 muaj më parë / 24 sht 2025 09:07
Britania e Madhe - Kosova

Britania e Madhe i ka bërë thirrje autoriteteve serbe që t’i kapin dhe t’i sjellin sa më shpejt para drejtësisë autorët e sulmit terrorist në Banjskë të 24 shtatorit të vitit 2023, gjatë të cilit u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. 

“Autorët, përfshirë Milan Radoiçiqin, ende nuk janë kapur dhe nuk janë sjellur para drejtësisë. Ne sërish i bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të veprojnë për këtë sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së Britanisë në Kosovë. 

Sot është dyvjetori i sulmit terrorist në Banjskë. Ambasada britanike ka vlerësuar lartë Policinë e Kosovës. 

“Sot është përvjetori i dytë i sulmit të tmerrshëm në Banjskë. Ne vazhdojmë të mbajmë zi për humbjen e zyrtarit policor Afrim Bunjaku, gjatë atij sulmi. Ne shprehim homazhe për profesionalizmin dhe trimërinë e Policisë së Kosovës për veprimin e tyre për të rivendosur rendin më 24 shtator të vitit 2023, dhe prokurorëve të Kosovës për punën e tyre të duruar në hartimin e një aktakuze”, thuhet në mesazhin e Ambasadës.