Aktivistja Liridona Sijarina ka kritikuar partitë opozitare se po e përdorin për qëllimet të tyre politike kauzën qytetare për drejtësi dhe mbrojtje për gratë. Ajo ka thënë se partitë po tentojnë që “diskursivisht ta rrëmbejnë kauzën qytetare”.
Sijarina ka theksuar se secili deputet ka faj në “shpërfilljen e jetës së grave” dhe në krijimin e, siç e ka quajtur ajo, një kulture institucionale e cila i përbuz gratë. Ajo ka shtuar tutje se protesta për drejtësi për Arlinda Zekajn, e vrarë gjashtë ditë më parë, është edhe kundër partive opozitare, jo vetëm pushtetit, për shkak të “dëmit historik” që Sijarina konsideron se është bërë ndër vite në sigurinë për gruan.
“Andaj, tentativa juaj me ngjy në nji kauzë e cila o qytetare e që po mahet këto ditë veç prej punës vullnetare që e bon nji grup i madh i aktivisteve e aktivistëve është jashtëzakonisht e ulët dhe e përbuzzshme. Dhe gjithësesi, na konfronton. Ne do vazhdojmë me i kërku llogari pushtetit edhe institucioneve të drejtësisë, ju kqyrni pazaret e juja, ama s’kemi me ju leju që me ba pazar me trupat e grave të vrame”, ka shkruar ajo.
Sijarina ka përmendur deputetet Ganimete Musliun e Blerta Deliun.
“Për shembull, nuk mundet zonja Musliu me keqpërdorë video të nji proteste ku na kemi dalë kundër femicidit të cilin ajo e konsideron si shpikje tonën. E Blerta Deliut duhet me i ardhë marre me kap kauza kur ato bahen popullore, kur e njejta në kohën kur është folë për gratë e mbijetume të dhunës seksuale në luftë pati thanë që gratë kanë me rrejtë që janë përdhunu veç sa me përfitu financiarisht. Garant ka edhe tjerë, po ju më keni hi në algoritma. Për krejt juve vlen i njejti mesazh: nuk ju lejojmë me na zaptu kauzat për jetët tona!”
Arlinda Zekaj dyshohet se u vra nga ish-kunati, Albert Sylaj, të dielën në Vitomericë. Përditë janë mbajtur protesta në kërkim të drejtësisë për të, pas dështimit institucional për t'iu përgjigjur thirrjeve për ndihmë nga vetë Zekaj deri pak para se të vritej.