Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Bastisen pronat e Radoiçiqit në veri

Tri ditë pasi institucionet e rendit identifikuan Milan Radoiçiqin si prijës të grupit paraushtarak që sulmoi policinë në Banjskë, një aksion bastisjeje është kryer në veri. Kontrolle janë zhvilluar në pronat e tij në disa lokacione, ndërkaq janë sekuestruar disa automjete, një barkë, pllaka antiplumb, rreth 5 kilogramë argjend dhe një numër pajisjesh elektronike.

Policia ka bastisur më mëngjes pronat e Milan Radoiçiqit, të dyshuarit për udhëheqjen e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Aksioni i Policisë së Kosovës i shtrirë në pesë lokacione të ndryshme në tri komuna në veri, nisi rreth orës 6:00 e u përmbyll para mesditës.

Vila e Radoiçiqit buzë Liqenit të Ujmanit, është në mesin e pronave të kontrolluara.

Pamjet nga aksioni që u publikuan nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tregojnë se përveç qasjes direkte në liqen, vila është pjesë e një kompleksi me disa objekte përcjellëse, me pishinë e me fushë tenisi.

Sveçla krahasoi Radoiçiqin me udhëheqësin kolumbian të drogës, Pablo Escobar.

Edhe Policia: “Vila e Radoiçiqit” vëzhgohet 24 orë nga kamerat, s’ka pasur asgjë të kundërligjshme Arbëri Policia: “Vila e Radoiçiqit” vëzhgohet 24 orë nga kamerat, s’ka pasur asgjë të kundërligjshme

“Ne e kemi dëshmuar edhe me pamje dhe me prova të tjera që udhëheqësi i këtij grupi ishte Milan Radojciq. Edhe nga pamjet që po shihen, dëshmohet se nuk bëhet fjalë për asnjë “luftëtar lirie”, por për një Pablo Escobar të rajonit. Nën maskën e mbrojtësit të qytetarëve ai dhe bashkëpunëtorët e tij u bënë multimilionerë në kurriz të ligjit, shtetit dhe qytetarëve të tjerë. Prandaj, është e domosdoshme që vatra e krimit e gjithë këtyre viteve në veri të vendit të hetohet së bashku me të gjithë asetet, aparaturën dhe lokacionet e grupit terrorist”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Pak orë nga bastisja, policia nuk shihet te vila. Në hyrje të saj, qëndron një person që kujdesej për pronën e Radojçiqit.

Aksioni i policisë përfshiu edhe dy lokacione në Mitrovicën e Veriut, një lokal dhe objekti i lavanderisë dhe kalldajave në Spitalin Rajonal në Mitrovicës së Veriut. Sipas drejtorit të spitalit, Zlatan Ellek, nga bastisja nuk është gjetur asgjë.

Rezultatet e aksionit u listuan në një njoftim të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë. Në të është treguar se janë bastisur edhe pronat e Vladimir Radojeviqit, i dyshuar tjetër për sulmin ndaj Policisë në Banjskë të Zveçanit.

Edhe Një vit nga sulmi në Banjskë, terroristët të lirë në Serbi Arbëri Një vit nga sulmi në Banjskë, terroristët të lirë në Serbi

“Pas realizimit të urdhër-kontrollit në pronat e të dyshuarve, janë sekuestruar në cilësi të provave materiale: 2 automjete mercedes, argjend 4.84 kg, 2 motorë 4X4, 1 barkë-anije, 7 DVR, 2 pllaka antiplumb me dy mbrojtës, 3 thika, 2 rutera, 2 çelësa të veturave, 5 gëzhoja, 1 dron, 5 USB, 1 kamera GoPro- SSD, 1 video kamerë me kartelë, 1 shënjestër optike, 1 spray dhe 7 telefona celularë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Radojçiqi është një nga të dyshuarit e identifikuar për sulmin e së dielës në Banjskë, nga i cili mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.