LAJMET E MBRËMJES

Pronat e Radoiçiqit do t’i kalojnë Policisë

Të rëndësisë nacionale e ka konsideruar kryeministri Albin Kurti shfrytëzimin e pronave të Milan Radoiçiqit nga institucionet e sigurisë. Të mërkurën, kabineti që ai drejton ndryshoi Udhëzimin Administrativ, në mënyrë që institucioneve publike t’u lehtësohet marrja në shfrytëzim e pronave të sekuestruara

Policisë së Kosovës i është lehtësuar procedura e marrjes në shfrytëzim të pronave të Milan Radoiçiqit, organizatorit të sulmit në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Pronat e sekuestruara të Radoiçiqit janë bërë shkas që autoritetet t’i lehtësojnë procedurat e dhënies në shfrytëzim të pasurive të tilla për institucionet publike.

Të mërkurën kabineti qeveritar ka ndryshuar Udhëzimin Administrativ, me të cilin mundësohet që pronat e sekuestruara të mund të kalojnë në menaxhim të institucioneve pa pasur nevojë për ankand.

Kryeministri Albin Kurti foli për rëndësinë e vendimit, e në veçanti për dhënien në shfrytëzim të pronave të sekuestruara në veri.

“Disa pasuri që tashmë janë sekuestruar gjenden në pika strategjike të territorit tonë, konkretisht në veri të vendit. Shfrytëzimi dhe menaxhimi i tyre nga institucionet e sigurisë është i rëndësisë nacionale dhe i kontribuon rritjes së sigurisë territoriale në përgjithësi e posaçërisht qytetarëve të vendit tonë”, ka thënë kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara e Kosovës sekuestroi në prill dy prona të paluajtshme në Mitrovicë të Veriut, një restorant dhe një banesë, si dhe një vilë në komunën e Zubin-Potokut, që të gjitha në pronësi të Radoiçiqit.

Duke folur në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se këto prona, aktualisht, janë nën menaxhim të ministrisë që udhëheq ajo, përkatësisht Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara të Kosovës.

Haxhiu tha se ndryshimet në Udhëzimin Administrativ janë të rëndësishme, sepse i eliminojnë procedurat e tejzgjatura për dhënien me qira të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, kur ato i kërkon një institucion publik ose organ shtetëror.

Ajo tregoi se pronat e sekuestruara të Radoiçiqit gjenden në lokacione me rëndësi strategjike. Sipas Haxhiut, kalimi i tyre nën menaxhimin e institucioneve të sigurisë bëhet me qëllim të “rritjes së sigurisë shtetërore, territoriale dhe institucionale” në veri.

Pas miratimit të ndryshim-plotësimeve të Udhëzimit Administrativ në Qeveri, Haxhiu tha se institucionet do të vazhdojnë me procedurat e tjera.

Vendimi për pronat është marrë në ditën kur janë bërë fiks 10 muaj nga vrasja e Afrim Bunjakut në Banjskë të Zveçanit, nga grupi i armatosur, që Radoiçiq tha se e organizoi dhe e udhëhoqi.

Kryeministri Kurti u ankua në institucionet e drejtësisë për mungesë aktakuze ndaj njeriut që pranoi se qëndron pas sulmit.

“Në Kosovë nuk është ngritur ende aktakuzë ndaj Milan Radoiçiqit dhe terroristëve të tjerë të grupit të tij paramilitarë nga ana e sistemit tonë të drejtësisë. Në Serbi, Radoiçiq është i lirë. Prokurorisë sonë nuk i kanë mjaftuar 10 muaj. Por nuk ju deshën më shumë se 10 orë për ta marrë në pyetje ministren tonë të Drejtësisë, zonjën Albulena Haxhiu, për një postim në Facebook”, ka thënë Kurti.

Të hënën dhe të martën Prokuroria Speciale e ka intervistuar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas deklaratave të saj në lidhje me të arratisurit e fundit nga burgjet. Një nga ta, Faton Hajrizi, gjatë përpjekjes për të kaluar në një vend të tretë, në Serbi, afër kufirit me Bosnjë- Hercegovinën vrau një polic dhe një tjetër plagosi. Një ditë pas ai u vra nga policia serbe.

Autoritetet serbe e cilësuan terrorist aktin e Hajrizit dhe thanë se ai ishte pjesë e strukturave të Kosovës. Autoritetet në Prishtinë kanë thënë se kjo narrativë e Beogradit synon ta barazojë sulmin e Radoiçiqit dhe grupit të tij në Banjskë, me veprimin e Hajrizit që ndodhej në kërkim nga autoritetet e Kosovës.

Kryeministri Kurti ka thënë të mërkurën se sqarimi i rrethanave që nga ikja në drejtim të Serbisë e deri të vrasja e raportuar e Hajrizit kërkon një hetim vendor dhe ndërkombëtar. 

Ai ka bërë edhe një thirrje.

“I ftoj qytetarët e vendit tonë të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit. Patriot në Republikën e Kosovës është rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë në Banjskë të Zveçanit”, ka thënë Kurti. “Patriotë janë 23 pjesëtarët e Policisë së Kosovës të rënë në krye të detyrës, që dëshmuan përkushtimin për shërbim deri në sakrificë. E pikërisht këtë javë, 26 korrikun, për të tretin vit radhazi, e shënojmë si Ditë Memoriale të Policëve të Rënë në Kryerje të Detyrës. Datë kjo e cila përkon me rënien e një patrioti tjetër të ditëve tona, heroit Enver Zymeri që u vra në krye të detyrës në Zupç të Zubin-Potokut më 2011. Andaj edhe sot, si çdo ditë e çdo mot, e ripërsëris thirrjen tek organet përgjegjëse për zbardhjen e të gjitha këtyre rasteve dhe sjelljen e autorëve para drejtësisë”.

Zymeri është vrarë gjatë aksionit të Policisë për të vënë kontroll në pikëkalimet kufitare me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak. Aksioni ishte dekonspiruar dhe, gjatë rrugës, është sulmuar kolona e automjeteve të Policisë, të nisura për aksion.