LAJMET E MBRËMJES

Anulohet tenderi për studim fizibiliteti për objektin e Presidencës

“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës anulon aktivitetin e prokurimit për arsye se janë krijuar rrethana të reja, të cilat na e pamundësojnë të procedojmë tutje me këtë aktivitet”, thuhet në njoftimin për anulim, të martën

Presidenca ka kthyer në pikën zero aktivitetin e prokurimit për hartimin e planit të fizibilitetit për ndërtimin e objektit të këtij institucioni.

Vendimi është marrë një javë pasi KOHA raportoi për të dhe Presidenca kumtoi se plani ideor nuk ka qenë i autorizuar prej presidentes Vjosa Osmani.

“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës anulon aktivitetin e prokurimit për arsye se janë krijuar rrethana të reja, të cilat na e pamundësojnë të procedojmë tutje me këtë aktivitet”, thuhet në njoftimin për anulim.

Suita gjumi për presidentin, dhoma private për familjen, dhoma private për darka familjare, dhoma leximi, kopsht e oborr privat dhe pesë dhoma mysafirësh, janë disa prej hapësirave që janë kërkuar t’i ketë rezidenca e Presidencës në dosjen e tenderit për hartimin e planit të fizibilitetit, tashmë të anuluar.

Bazuar në dosje, autoritet kontraktues i të cilit ishte Zyra e Presidentit, rezidenca parashihej që pos këtyre hapësirave të kishte edhe pjesën ceremoniale, në të cilën përfshihej një sallë e madhe pritjesh dhe ballosh, një holl ceremonial, dhoma e kredencialeve, dhoma për takime dypalëshe, salla për media, si dhe biblioteka presidenciale.

Në njoftimin për anulimin e tenderit, Presidenca nuk ka sqaruar arsyet specifike për këtë vendim.

Por, njohës të proceseve të prokurimit i patën thënë KOHËS se anulimi i tenderit do të përbënte shkelje.

“Nëse në këtë procedurë janë paraqitur oferta të përgjegjshme, sipas kritereve të përcaktuara nga autoriteti kontraktues, çdo anulim i procedurës pas hapjes së ofertave do të ishte në kundërshtim me nenin 62 të Ligjit për Prokurimin Publik. Një veprim i tillë do të krijonte pasoja ligjore për autoritetin kontraktues, në këtë rast për Zyrën e Presidencës”, pati thënë Leorenta Alija, hulumtuese në Demokraci Plus.

Për hartimin e planit të fizibilitetit për ndërtimin e objektit të Presidencës kanë aplikuar tre operatorë ekonomikë, të cilët kanë ofertuar me çmime më të ulëta sesa shuma prej 25 mijë eurosh, që ishte planifikuar nga Zyra e Presidentit.

Përveç fizibilitetit, në planin e prokurimit të Presidencës ishte listuar edhe hapja e konkursit për projektimin e objektit të Presidencës, me vlerë të parashikuar të kontratës prej 350 mijë eurosh.