Arbëri

Presidenca me plan për “shtëpi të madhe” me suita gjumi e hapësira rekreacioni

Bazuar në dosjen e tenderit për hartimin e planit të fizibilitetit për ndërtimin e objektit të Presidencës, autoritet kontraktues i të cilit figuron se është Zyra e Presidentit të Kosovës, rezidenca kërkohet që pos suitave të gjumit për presidentin\en, dhomave private për familjen, dhomave private për darka familjare, dhomave të leximit, kopshtit e oborrit privat dhe pesë dhomave mysafirësh, të ketë edhe pjesën ceremoniale, në të cilën përfshihen një sallë e madhe pritjesh dhe ballosh, një holl ceremonial, dhoma e kredencialeve, dhoma për takime dypalëshe, salla për media, si dhe biblioteka presidenciale. Këto specifika janë vetëm disa nga mesi i hapësirave që janë kërkuar të përfshihen në planin e fizibilitetit, tenderi për të cilin është mbyllur të enjten

Suita gjumi për presidentin\en, dhoma private për familjen, dhoma private për darka familjare, dhoma leximi, kopsht e oborr privat dhe pesë dhoma mysafirësh janë veç disa prej hapësirave që janë kërkuar që t’i ketë rezidenca e Presidencës së Kosovës, në dosjen e tenderit për hartimin e planit të fizibilitetit për ndërtimin e këtij objekti.

Bazuar në dosjen, e cila është publike në e-prokurimi dhe autoritet kontraktues i të cilit është Zyra e Presidentit të Kosovës, rezidenca parashihet që pos këtyre hapësirave të ketë edhe pjesën ceremoniale, në të cilën përfshihen një sallë e madhe pritjesh dhe ballosh, një holl ceremonial, dhoma e kredencialeve, dhoma për takime dypalëshe, salla për media, si dhe biblioteka presidenciale.

Këto specifika janë vetëm disa nga mesi i hapësirave që janë kërkuar të përfshihen në planin e fizibilitetit, tenderi për të cilin është mbyllur të enjten. Për realizimin e këtij studimi janë planifikuar që të shpenzohen 25 mijë euro, përderisa objekti është paraparë që të ndërtohet në lagjen “Prishtina e Re”.

 

Hapësira për sport e rekreacion dhe kuzhinë presidenciale

 

Sipas planit ideor, i gjithë kompleksi planifikohet që të përfshijë nëntë zona funksionale.

“Strukturimi i zonave funksionale, që parashihen të përfshihen: Hapësira e punës së presidentit/es; Hapësira për ceremonial (salla e pritjes, dhoma e kredencialeve, salla për media, etj.).; Hapësira të punës për stafin e kabinetit dhe administratës; Hapësira rezidenciale; Hapësirat të dedikuara për siguri, logjistikë, transport, protokoll dhe teknologji; Hapësira për mikpritje diplomatike, punë në distancë dhe multifunksionalitet; Hapësira për stafin mbështetës, administrativ dhe operativ; Hapësira të veçanta të punës që ndërlidhen me mbrojtje, siguri dhe aspekte të tjera; Hapësira për rekreacion, sport dhe kulturë”, thuhet në dosjen e tenderit, të publikuar më 17 korrik të sivjetmë në e-prokurimi.

Në planin për objektin presidencial, hapësira të veçanta janë kërkuar edhe për këshilltarë politikë të presidentit\es. Krahas zyrave, për ta është kërkuar të përfshihen, mes tjerash, edhe një dhomë koordinimi dhe dhomë për përkthim e interpretim.

Në dosje është kërkuar që rezidenca presidenciale të ketë edhe zyra për nëpunës civilë, për Këshillin Konsultativ për Komunitete, për presidentët të cilëve u ka përfunduar mandati, për Qendrën e Ekselencës, si dhe kuzhinë presidenciale.

“Krahu Operacional dhe mbështetës: Komanda e sigurisë dhe dhoma për mbikëqyrje; Kompleksi i kuzhinës presidenciale; Korridoret e shërbimeve dhe salla për stafin; Zyra të stafit mbështetës (x3); Dhoma për larje rrobash, depo, garazhe dhe hapësira të tjera për shërbime teknike”, theksohet në dosje.

Si opsionale në këtë dosje është vendosur që të jetë edhe një hapësirë multifunksionale, e cila do të përmbante dhoma për diasporën, dhoma për rini dhe kënd për fëmijë.

Në kuadër të hartimit të planit të fizibilitetit, operatorëve ekonomikë të interesuar u është kërkuar që t’i bëjnë analizë lokacionit dhe planifikimit hapësinor, si dhe analizë aspekteve teknike, të sigurisë, ekonomike, mjedisore dhe funksionale të realizueshmërisë së konceptit të organizimit funksional të objektit qendror dhe atyre përcjellës.

“Strukturimi i zonave funksionale, që parashihen të përfshihen: Hapësira e punës së Presidentit/es; Hapësira për ceremonial (salla e pritjes, dhoma e kredencialeve, salla për media, etj.).; Hapësira të punës për stafin e kabinetit dhe administratës; Hapësira rezidenciale; Hapësirat të dedikuara për siguri, logjistikë, transport, protokoll dhe teknologji. Hapësira për mikpritje diplomatike, punë në distancë dhe multifunksionalitet.

Hapësira për stafin mbështetës, administrativ dhe operativ. Hapësira të veçanta të punës që ndërlidhen me mbrojtje, siguri dhe aspekte të tjera; Hapësira për rekreacion, sport dhe kulturë”, thuhet në dosje.

Operatorëve ekonomikë të interesuar u është kërkuar gjithashtu që të ofrojnë ide fillestare për dukjen e objektit të Presidencës, si dhe të bëjnë analizë të aspekteve arkitektonike, të sigurisë dhe të energjisë.

“Prezantim i një mostre ideore për pamjen arkitektonike të objektit, duke u bazuar në praktika nga rezidenca të shteteve të tjera; Propozim për përdorim të energjive alternative dhe aplikim i modeleve të avancuara të eficiencës energjetike; Planifikimi i qasjes infrastrukturore, përfshirë rrugët, qasjen për këmbësorë, sigurinë në hyrje etj.; Vendosja e pikave vrojtuese të sigurisë dhe zonave të kontrollit të hyrjes; Sigurimi i burimeve të pavarura dhe të qëndrueshme për energji dhe ujë”, thuhet në dosje.

Në specifikacionin e dosjes për qëllimin e projektit theksohet se “është që të analizojë aspektet teknike, ato të sigurisë, ekonomike, mjedisore dhe funksionale të realizueshmërisë së ndërtimit të objektit të Presidencës, në përputhje me nevojat institucionale, standardet moderne të ndërtimit dhe vizionin urbanistik të Prishtinës së Re”.

Për hartimin e tij kanë aplikuar tre operatorë ekonomikë, të cilët kanë ofertuar me çmime më të ulëta sesa shuma prej 25 mijë eurosh, që është planifikuar nga Zyra e presidentit.

Bazuar në dosjen e tenderit, oferta me çmimin më të ulët është ajo në vlerë prej 16 mijë e 697 eurosh, e bërë nga Grupi i operatorëve ekonomikë “FST Engineering SH.P.K”; “AL Engineering SH.P.K”; “GJEO-PROJEKT SH.P.K”, e pasuar nga ajo e “IPE-PROING SH.P.K.”, përderisa ofertën më të lartë, prej 19 mijë e 900 eurosh, e ka bërë kompania “ALB-Architect SH.P.K.”.

 

Reagimi i Zyrës së Presidentes

 

Në Zyrën e Presidentes nuk u janë përgjigjur pyetjeve të adresuara të enjten nga KOHA lidhur me planet për ndërtimin e objektit të ri presidencial, si dhe për specifikacionet e kërkuara për të.

E pas publikimit të lajmit nga KOHA, në Zyrën e Presidentes kanë lëshuar një reagim publik, në të cilin kanë thënë se “presidentja nuk ka kërkuar ndërtim të ndonjë rezidence presidenciale, as me oborr privat, as me dhoma private, e as ndonjë luks tjetër personal”.

“Plani ideor i shpallur për ndërtimin e objektit presidencial nuk e ka marrë aprovimin e presidentes dhe brenda suazave ligjore presidentja do të kërkojë që ai të revidohet në mënyrë që t’iu përshtatet specifikave dhe nevojave reale të Republikës së Kosovës. Presidentja ka kërkuar që të procedohet vetëm me ndërtesën zyrtare të Presidencës, e cila do të përdoret për zhvillimin e takimeve dhe pritjeve shtetërore”, është thënë në reagimin e Zyrës së Presidentes.

Edhe pse në dosjen publike e zyrtare, autoriteti kontraktues është Zyra e Presidentit, në krye të së cilës është presidentja Vjosa Osmani, ajo ka insistuar se nuk e ka autorizuar planin ideor dhe në asnjë rast ajo nuk do të ishte përfituese e beneficioneve të objektit, madje ka paralajmëruar se do të gjejë rrugë ligjore për ta zgjidhur këtë situatë.

“Presidentja ka kërkuar urgjentisht të gjenden mundësitë ligjore për të ndryshuar specifikacionet aktuale, të cilat nuk paraqesin aspak idenë e saj për një objekt zyrtar presidencial (e assesi ndonjë rezidencë private)”, është thënë në reagim. Në këtë reagim, Presidenca nuk ka sqaruar se si është e mundur që “pa autorizimin e presidentes” ky plan të bëhet pjesë e dosjes zyrtare në tenderin për fizibilitet, si dhe po ashtu nuk ka sqaruar nëse do të duhet të bëhet një studim i ri fizibiliteti, konform planit tjetër, të cilin ajo në reagim thotë se do ta bëjë.

Përgjigje në pyetjet e KOHËS lidhur me çështjen nuk kanë dhënë gjatë ditës as në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe as në atë të Administratës Publike.

Presidenca e Kosovës fillimisht u pati planifikuar që të zhvendosej në objektin ku aktualisht ndodhet e vendosur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në qendër të Prishtinës. Por që në fillim të mandatit të saj, presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e pati njoftuar Ministrinë e Kulturës se nuk synon që t’i vazhdojë planet për zhvendosjen e Presidencës në këtë objekt dhe që nga ajo kohë pati paralajmëruar se do ta shqyrtojë zhvendosjen e saj “në hapësirë më të përshtatshme dhe me të gjerë pune”.